Kosova: Sqarime me qytetarët për Pakon e Ahtisaarit

28 mars 2007. Të martën, në Deçan u mbajt debat publik me qytetarët. Një moment politik ndwr më të rëndësishmit  për Kosovën – periudhën e prezantimit të Pakos së Martti Ahtisaarit për statusin final. Debati i drejtpërdrejtë me publikun në Deçan ua mundësoi qytetarëve përballjen me përfaqësuesit më të lartë ndërkombëtarë dhe vendorë, duke ngritur shqetësime jetike për Kosovën në përgjithësi dhe për Deçanin në veçanti, i cili është prekur drejtpërdrejt nga shpallja e Zonës së Veçantë të Manastirit të Deçanit, brenda së cilës përfshihen 800 hektarë tokë, pa përjashtuar as pronat private.

“Kush do të thoshte se do të vinim kaq larg? Mendoj se edhe Grupi i Unitetit ka merita të mëdha për punën e bërë gjatë negociatave dhe se të gjithë ata që ishin të përfshirë kanë punuar me kujdes dhe mençuri,” – tha kryeadministratori i Kosovës, Joachim Rücker.

Qëndrimi i NATO-s dhe KFOR-it

Në prani të shumë qytetarëve të kësaj komune, ndër të cilët ishin edhe përfaqësues të Manastirit të Deçanit, komandanti i KFOR-it, Roland Kather, tha se edhe NATO dhe KFOR-i e përkrahin propozimin e Martti Ahtisaarit dhe se do të qëndrojnë në Kosovë për aq kohë sa të ketë nevojë.

“Propozimi i Ahtisaarit përfaqëson interesat e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe pikërisht për këtë NATO-ja dhe KFOR-i do ta mbështesin plotësisht këtë dokument. Ne jemi këtu për të gjitha etnitë dhe këtë po e bëjmë miqësisht, sepse ju këtë e meritoni. Më shumë se 90 për qind prej jush janë të bindur se në Kosovë kurrë më s’do të ketë dhunë. Koha e dhunës ka kaluar dhe për këtë arsye kemi propozimin e Ahtisaarit,” – tha gjenerali Kather.

Shqetësimet për Zonën e Veçantë të Manastirit të Deçanit

Sikurse edhe në debatet e mëparshme, edhe kësaj radhe u shpreh shqetësimi i qytetarëve të Deçanit për Zonën e Veçantë. Njëri ndër ta, Selim Lokaj, i drejtoi pyetje përfaqësuesit të Manastirit të Deçanit, atit Sava Janjiç, i ulur në radhën e qytetarëve:

“A është më e fuqishme mbrojtja e Manastirit të Deçanit nga ne apo nga ligjet që dalin nga Pakoja e Ahtisaarit?”

Përgjigje dha kryetari i Kuvendit Komunal të Deçanit, Nazmi Selmanaj:

“Nuk ka delegacion të huaj që ka ardhur në Manastirin e Deçanit dhe që përfaqësuesit e tij të mos e kenë pranuar këtë fakt. Dhe është shumë mirë që thonë të vërtetën.”

Një qytetar lokal e krahasoi këtë aktvendim me një dokument tjetër:

“Unë kam përpara një elaborat të përgatitur nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore të Serbisë, ku thuhet se territori mbrojtës i Manastirit të Deçanit është 103 hektarë. Ndërsa nga Pakoja e Ahtisaarit del 800. Deri ku mundesh me u ndal?”

Qëndrimi i institucioneve të Kosovës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Lutfi Haziri, theksoi se Zonat e Interesit të Veçantë nuk kanë të bëjnë me ekstraterritorialitetin.

“Ekstraterritorialitet do të kenë vetëm ambasadat në Prishtinë, mbi parimin e Konventës së Vjenës. Asnjë zonë tjetër nuk do të ketë këtë status. Këto janë çështje që do të dëshmohen brenda një kohe të shkurtër. Brezovica, me ligj të Kosovës, është park i mbrojtur, ku nuk guxon askush të punojë pa koordinim me komunat përkatëse.”

Sqarimet e UNMIK-ut

Ndërsa sipas kreyadministratorit Joachim Rücker, ideja se Zonat e Mbrojtura sipas Pakos së Ahtisaarit mund të jenë territore të veçanta është keqkuptuar. “Shfrytëzimi i pronës kufizohet dhe respektohet si kudo në botë. Veçanërisht kur flasim për Manastirin e Deçanit dhe pyjet e mrekullueshme përreth, bëhet fjalë për një pasuri botërore të mbrojtur nga UNESCO. Ajo që është paraparë në Pakon e Ahtisaarit për Zonën e Veçantë këtu paraqet interes të madh edhe për vetë komunën e Deçanit.”

Zona e Veçantë, e shpallur me një aktvendim nga ish-kryeadministratori i Kosovës, Soren Jesen-Petersen, në prill të vitit 2005, dhe e përfshirë në Pakon e Ahtisaarit, përfshin rreth 800 hektarë, pa përjashtuar as pronat private.

Ajetë Beqiraj
Dojçe Vele & Radio Kosova