GJND konfirmon ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës – Ditë e bekuar për Kosovën!

Flamur22 korrik 2010, Dojce Vele. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në Hagë konfirmoi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, shprehu mirënjohjen e popullit të Kosovës dhe të institucioneve të shtetit për këtë vendim, i cili sipas tij rikonfirmoi qartë argumentet e fuqishme dhe të parrëzueshme që ka paraqitur Kosova dhe mbështetësit e saj nga mbarë bota demokratike.

“Kosova ka qenë gjithmonë e bindur në të drejtën e saj natyrore për të jetuar e lirë, si dhe populli i saj pa dallim etnik. Kosova nuk ka kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare mendim. Atë e ka kërkuar Republika e Serbisë, dhe përgjigja është dhënë. Gjyqi në Gjykatën Ndërkombëtare nuk është një gjyq kompromisi, por një mendim i urtësisë së Gjykatës, i dhënë mbi bazë të argumenteve. Ne e kemi ditur se argumentet e Kosovës janë të parrëzueshme, dhe unë e përsëris: ‘Para argumenteve heshtin edhe zotërat!’ Ky mendim përfundimisht i heq të gjitha dilemat që mund të kenë pasur vendet që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.”

Sejdiu: “22 korriku – Ditë e bekuar për Kosovën”

Vendimi i GJND-së dëshmon se rasti i Kosovës nuk paraqet precedent për asnjë rast tjetër në botë, por është një vlerë e qartë e së drejtës ndërkombëtare për të jetuar të lirë dhe të pavarur, e cila hap rrugë drejt progresit të mëtejshëm të Kosovës, tha presidenti Sejdiu, duke i bërë thirrje Republikës së Serbisë t’i bashkangjitet vizionit të përgjithshëm të shteteve të rajonit për një të ardhme më të ndritshme dhe për një integrim sa më të shpejtë euroatlantik.

“Thërrasim Republikën e Serbisë, presidentin Tadiq dhe qeverinë e tij, që të heqin dorë nga qasja e deritanishme. Rruga e përbashkët e dy vendeve dhe e vendeve të rajonit është në Bashkimin Evropian dhe NATO, në perspektivën e rehatshme për të gjithë qytetarët, në qetësi, paqe dhe stabilitet në rajon. I ftojmë të heqin dorë nga kjo trysni ndaj qytetarëve serb në Kosovë dhe të kenë një qasje të re që afron dy vende sovrane në bashkëpunim reciprok, për të mirën e të gjithë qytetarëve,” tha presidenti Sejdiu.

Ai falenderoi të gjitha vendet që kanë mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj drejt lirisë dhe pavarësisë, me theks të veçantë SHBA-të, BE-në dhe NATO-n, duke vlerësuar lart mbështetjen e dhënë nga GJND. “Kjo është një ditë e bekuar për Kosovën!”

Krasniqi: Kosova – partner i denjë në familjen e vendeve paqedashëse

Mendimi këshilldhënës i GJND-së rikonfirmon se deklarata e 17 shkurtit 2008, e cila shpalli Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, ishte një akt që pasqyronte vullnetin e popullit të Kosovës. Udhëheqësit e saj iu përgjigjën thirrjes së popullit për ndërtimin e një shoqërie që respekton dinjitetin njerëzor dhe afirmon krenarinë dhe synimet e qytetarëve të saj, tha Jakup Krasniqi, Kryetar i Kuvendit të Kosovës.

“Opinioni i qartë i Gjykatës Ndërkombëtare do t’i ndihmojë të gjitha vendet e botës, veçanërisht ato anëtare të Bashkimit Evropian, që ta respektojnë dhe të përshpejtojnë njohjen e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. Shprehim gatishmërinë tonë për të vendosur marrëdhënie të mira me Republikën e Serbisë, për të mirën e të dy popujve dhe të stabilitetit politik, social dhe ekonomik të rajonit. I bëjmë thirrje shteteve që nuk e kanë njohur ende Kosovën, ta bëjnë këtë, duke shprehur bindjen se do të gjejnë një partner të sigurt dhe të denjë në familjen e vendeve paqedashëse,” tha Krasniqi.

Thaçi: Mendimi i GJND-së – shtytje drejt forcimit të shtetësisë së Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një vizite zyrtare në SHBA, e vlerësoi opinionin e GJND-së si “një akt historik dhe shumë të rëndësishëm për konsolidimin e mëtejshëm të shtetit të pavarur të Kosovës.” Ai shtoi se ky mendim është fitore për të gjitha shtetet e rajonit, veçanërisht për Kosovën, dhe nxit angazhim më të madh drejt konsolidimit, zhvillimit dhe forcimit të shtetit të pavarur.

Mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës u prit me entuziazëm edhe nga qytetarët, të cilët e konsiderojnë atë si një hap më afër synimeve të Kosovës.

“Jam i kënaqur dhe i gëzuar… se po del në favor tonin!” – tha Qamil Sopi nga Mramori.
“Jam shumë i gëzuar. Tash shpresojmë të pranojnë edhe shtetet e tjera, në OKB dhe në Evropë,” – tha Ismet Gashi nga Hajvalia.

Ndërkohë, serbët e veriut të Kosovës protestuan në orën 17:30 në sheshin kryesor të Mitrovicës për të kundërshtuar ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.

Pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17 shkurt 2008, deri më tani e kanë njohur 69 shtete, përfshirë SHBA-të dhe 22 shtete të BE-së. Këtë pavarësi e ka kontestuar Republika e Serbisë, e cila kërkoi shqyrtimin e legalitetit të këtij akti në GJND, e cila, më 22 korrik 2010, dha mendimin në favor të ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës.