Engjellit pa krahe

Gëzimi! Një frymë e vetme që la pas dashuri, dhembje dhe dritë të përjetshme…

Angel wings 300x14314 korrik 2002. Homazh poetik për foshnjën jetëshkurtër, e cila erdhi mes nesh vetëm për një frymë, por la pas një gjurmë të përjetshme dashurie, dhimbjeje dhe drite hyjnore…Për trupin e tij të brishtë, I cili preku botën për pak ditë për të rritur krahë mbi plagë dhe fluturuar kah drita e Krijuesit të vet!

“How very quietly you tiptoed into the world, only for a moment you stayed. But what an imprint your tiny footprints left on our hearts.”-Dorothy Ferguson

-Dritë jete këtu nuk ka! – ëndërroi t’i thoshte mjeku motrës shtatzënë.
-Poo!… Ka një dritë tjetër në barkun e saj… Shiko!… Eshte i tëri dritë?! – insistonte ajo.

Tash, gjithçka e qartë.
Ajo s’kishte parë dritën e jetës sepse vezullimi i saj ishte tretur në foshnjen e shuar në prehërin e saj.
Ajo kishte parë Dritën e Zotit, e cila shkrihej në fytyrën e tij nur…

Ah vogëlush, prisja të me thërrisje dajë! – psherëtiu vellai teksa ngiste makinën e sapodalë nga spitali dhe zëri iu mbyt në grykë.
Edhe dhëndërit, atit të foshnjes, iu mbushën sytë me lotë… Por mbaheshin, se burrëria e donte ashtu!
Ndërsa ajo kishte lirinë e gjithë botës të qante me vajin e pangushëllim të tëzes mbi atë foshnje të pafajshme, e cila për dhjetë ditë kishte qëndruar pezull mes jetës e vdekjes, që mbi plagët në trupin e brishtë e merrte krahët e engjëllit.

Në ato dhjetë ditë agonie trupi i tij u martirizua në çdo mënyrë, se mjekët mbaheshin fort për misionin e tyre të shenjt. Por, mushkëritë e tij nuk shijuan vetëm aromë ilaqesh brenda inkubatorit. Ai nuk i hapi as sytë e vegjël, sepse zgjodhi një dritë më të shenjt se dritën e jetës. Erdhi si një flutur, për të lënë fluturimin e fundit brenda mureve të qelqta të inkubatorit, që pas dhjetë ditësh zemra e vogël t’i pushonte përgjithmonë…

Makina po ecte drejt fshatit. Po e çonte në shtëpinë, deri dje të mbushur gëzim për djalin e sapolindur… Që prisnin t’iu bëhej burrë… “Një katund prej tij!”

E tash, po ata njerëz ishin mbledhur për ngushëllime.
Rruga ishte e gjatë, e pafund. Por makina sikur nxitonte të ia kthente nënës në prehër. Të çmallej me të për herë të parë, se ai ende nuk njihte ngrohtësinë amërore… Për herë e të fundit, sepse ai kaq kishte! Vrushkuj lotësh të valë ia digjnin faqet. Ata përvëlonin edhe ballin e arkivolit të tij të vogël me mbishkrimin: “Exitum Letraris”…

E ajo, donte të shihte më shumë se datën e vdekjes së tij. Donte ta shihte, ndonëse të atillë nuk e kishte dëshiruar kurrë. Ta njihte tani kur ishte një trup i pafrymë. Ngadalë hapi kapakun dhe e pa gjatë me sytë e larë në lotë. Trupi i tij i vogël prehej në qetësinë hyjnore. E përshkoi me dorë fund e krye, ia dalloi gjymtyrët e vogla, të fikura… Brishtësinë e trupit të tij, pothuajse të gjallë. Ia largoi edhe mbulojën nga fytyra. Nën të u shfaq një ballë dhe një hundë e vogël. Një faqe nur e mbytur në njolla gjaku. E lau me lotë! Aty po e ndjeu sa shumë dhembte kur shuhej një jetë ende pa filluar. Koka e tij ishte pranë zemrës së saj. Dora e saj mbi zemrën e tij… Mbi atë zemër të vogël, e cila nuk mundi të mbijetojë egërsinë e kësaj bote!

Tronditje e papritur nga frenimi i makines e ajo shtrëngroi fort t’mos i lëndohej trupi i vogël… Shpina e çelur varrë nga qëndrimi në shoqërinë që prejse erdhi në jetë. Tashmë, në krahët e mortjes ai ishte lëshuar përgjithmonë, pa e bërë më vaj afërsia e nënës, si atë ditë kur për herë të parë e ndjeu praninë e saj. Nuk do të lëvizte kokë e gjymtyrë nga prekjet e babait me lejen e mjekëve, tashmë kur e dinin se nuk kishte më shpresë. Asnjë lëvizje, asnjë prekje, asnjë lotë as psherëtime s’do ta trazonte nga gjumi i përjetshëm, se fijet që e lidhnin me botën pa u lidhur ende ishin shkëputur përgjithmonë!

Në fshat të gjithë i dolën përpara. Ajo kërkonte motrën lehonë t’ia lëshonte foshnjën në prehërin bosh, pranë barkut të këputur e pranë gjinjve t’ia lagte buzët e ngrira në gjak… Por, kur pa nënën, iu lëshua në krahëror pafuqishëm, tretur ngrirë mes vajesh të të gjithëve e me foshnjen e vdekur në krahë!

Lulja e nënës!… Drita e nënës! – dëgjohej zëri i dredhur i nënës, teksa e vënte në djepin e veshur me punëdoret e punuara me dashurinë më të madhe.

Në djepin që e kishte pritur të gjallë, ta përkundte e ta vënte në gjumë. Në gjumin e jetës!

Por, Gëzimi i të gjithëve pas 10 ditësh varur mes jetës dhe vdekjes, mbolli krahët mbi plagë për t’u ngjitur kah drita e përjetshme. Brishtësia e trupit të tij tashmë prehet në Fushën e Thatë dhe shpirti i dëlirë loz bashkë me engjëjt… Por, ajo fryme e paktë jete, la as vetes plot dashuri, dhembje dhe dritë të përjetshme!

 

14 korrik 2002, Kryshec,Peje.

 All rights reserved!