MARGARITA XHEPA: “Arti është minierë thesaresh”

15 qershor 2004. Margarita ishte shumë e re atëbotë dhe ende nuk dinte ç’është arti. Ajo, në fushën e tij të bukur hyri krejt natyrshëm. Margarita s´e kuptonte as ç’është poezia Se aty fshihej e bukura e artit dhe magjia që do ta udhëhiqte në të ardhmen. Poaq pavetdishëm edhe i lexonte, vetëm me faktin se ato ushqenin shpirtin e saj të ndjeshëm. 

Por, ishte mësuesja ajo që pa në Margaritën e re atë që ajo vet nuk e kuptonte.Ajo edhe i dha kurajo, duke i gjetur poezi t’i recitonte fillimisht në klasë, me rastin ditës së çlirimit e në organizime të ndryshme, përpara gjithë auditorit të madh në qytezën e vogël të Lushnjës. Dhe, kështu shkallë-shkallë filluan angazhimet edhe në grupin amator të qytetit jashtë orarit të mësimit, ku luante role te vogla, ndonjë pak më të madh e merrte pjesë edhe ndonjë turne. Seksioni i Lushnjës i çoi për një kurs në Liceun Artistik,(i cili tashmë nuk është më!) ku u paraqit me përgatitjet e athershme modeste me dy poezi. Këtu edhe fillon jeta e artit drejt të cilës do ta udhëheq pasioni ndaj të bukurës së tij.

Kur arti ta mëson pagjumësinë

“Këtu më është vrarë edhe gjumi në kuptimin më të bukur, sepse aty për herë të parë e shikoja një film. Dhe rolin kryesor të asaj vajze e sillja te vetja dhe veten e coja te roli, i cili ishte një dialog i çiltërt dhe shumë i bukur. Më dukej i parealizueshëm!”-thotë aktorja e shquar Margarita Xhepa.

Mirëpo, nuk ishte vetëm instinkti që njeriu ndjen brenda vetes ai që ia krijoi vetbesimin, por ishin edhe regjisorët e paharruar që e inkurajuan, ndër të cilët kujton kryeregjisorin e Teatrit Popullor, Pandeli Stillu, si nje regjisor sa mjeshtror poaq njerëzor. Ishte përkrahja e përhershme e bashkëshortit Xhavit Xhepa, aktor dhe këngëtar dhe mirëkuptimi i tij. Sepse, duke qënë artist ai e kuptonte se Margarita duhej të bënte rolet që i ofroheshin,e të cilat ishin brenda karakterit dhe moshës së saj.

“Eh! Flijime,lodhje,mundime,shqetsime shumë-ofshan artistja e madhe.Unë jam dhe një nënë! I kam rritur tre djem dhe e kam pasur shumë vështirë, se nuk kam pasur një ndihmë në shtëpi. Kur kujtoj se si ia kam dalur mendoj:Sa i fortë qenka njeriu!” Por, është i riu i fortë se në këtë moshë nuk e përballon dot. Rinia ka forca të jashtëzakonshme. Natë për natë shfaqje, përkrah obligimeve familjare, paradite prova .Por kisha edhe një burrë të mrekullueshëm, i cili jo vetëm më  frymëzonte në profesionin tim dhe me inkurajonte, por edhe më ndihmonte. Herë-herë thosha se nuk do ta marr këtë rol, sepse do ik nga Tirana dhe do t’iu lë keq”. “Jo!-më thoshte-Ne do vuajmë pak, por ti rolin do ta bësh!” Dhe, kur e mbaroja filmin më thoshte: “Ja. Ne vuajtëm një çik por e kapërcyem dhe ti e fitove rolin!”, rrëfen Margarita Xhepa,e cila edhe sot kujton se pa këtë mjedis familjar dhe pa mbështetjen në punë, nuk do të kishte forcë të kapërcente këto vështirësi.

“Nwna me shtatw zemra

Por, është një flijim që mund ta bëj vetëm ajo që harron veten për të tjerët. Dhe, këto virtyte të pamohueshme të mençurisë, të urtësisë e të thjeshtësisë janë mbi të gjitha të nënave shqiptare për të cilat aktorja i thërret me vargjet e poetit shkupjan Murat Isakut, “Nëna me shtatë zemra”, duke thënë se ai për këto vargje u frymëzua pikërisht nga ky truall i shëndetshëm i nënave shqiptare. Por, pas cdo flijimi vjen shpërblimi. Dhe,bekimi më i mirë për dashurinë ndaj artit ishte bartja e genit të artistit në njërin nga të tre djemt. Aktori i mirënjohur për publikun mbarëkombtar Ndriçim Xhepa, është njëra ndër dëshmitë më të forta por edhe më të bukurat, se ligji i trashëgimisë nuk mohohet.

“Ky është një gëzim për mua, jo vetëm si nënë por edhe si aktore. Më jep emocion të bukur, që një nga fëmijët e mi i shërben artit, sigurisht, me dinjitet!”, thotë aktorja nënë, në zemrën e së cilës ka vend për të gjithë. Sepse, ngrohtësia që reflekton përmes ekranit është vetëm një pikë nga deti i shpirtit të saj.

Arti eshte miniere thesaresh

Margarita Xhepa hyri në detin e artit vetëm me dashurinë e jashtzakonshme ndaj tij. Prandaj është e lumtur pse sot aktorët e rinj kanë mundësi më të mëdha, pasuri morale e intelektuale me të cilat vinë. Dhe i këshillon që ta duan artin, të bëhen një me të. Të jenë gjithmonë kërkues dhe të mos kënaqen kurrë. Sepse:

“Arti i ka majat e larta. Lum kush punon dhe gërmon se do gjëj gjëra të bukura. Magjia dhe të fshehtat e artit janë sikur miniera e thellë, që duke gërmuar gjithnjë do gjesh diçka. Kështu i këshilloj që ta duan profesionin e tyre. Mos ta shikojnë si një rrogtar për të marrë një rrogë. Ta harrojnë anën materiale. Ne kemi punuar pa asnjë shpërblim, vetëm me këtë dëshirë”.

Sepse, ishte përkushtimi ai që e ngriti ne maja dhe ia i ofroi respektin i të gjithë atyre që i njeh e nuk i njeh. Kënaqësia që ia jep publiku është kuptimi që e mbajti të gjallë në skenë. Kjo dashuri që ndjen në mesin e tyre ia ploteson zemrën , sepse kjo është pasuria më e madhe e artistit!

 “Shpeshherë na thonë mua ose edhe kolegëve të mi: “Brez i humbur. Nuk fituat asgjë!” Por jo. Kjo s’është e vërtet! Kemi fituar shumë! Kur i shikoj filmat e mi,them:”Shyqyr që e kam bërë,pavarësisht që s’jam shpërblyer! Ata do të ndjenjë kënaqësinë e punës me kalimin e viteve. Por, tash duhet të kenë përgjegjësi karshi asaj që marrin. Ta zaptojnë dashin për brirësh. Kështu duhet të punojë njeriu, them unë!”-thotë Margarita Xhepa, e cila edhe kur sheh frutin e punës nuk mund të rrijë në paqe me ndjenjën se paska bërë dicka. Me faktin se paska bërë madje shumë për një jetë të vetme! Se, edhe me 70 vjetët e saj ajo vazhdon të jep nga shpirti i pashterrshëm i artistit, si shembulli me i mirw për brezat e rinj. Dhe, formula e këtij suksesi nuk është sekret sepse vetëm me dashurinë ndaj profesionit ajo erdhi deri këtu. Një pasion pa hile ashtu “si do nëna evlanë”, thotw Margarita.

Te duash artin “sic do nena evlanwe

Me këtë dashuri të pakrahasueshme të nënës ndaj fëmijës, ajo i kapërceu të gjitha hallet familjare, oligimet si nënë, si grua sepse predominonte pasioni ndaj punës. Ajo gjithnjë iu qas punës me një dashuri të jashtëzakonshme, për të bërë diçka të dobishme për vete por edhe për të tjerët. Dhe, ishte kjo punë intenzive qëkur ishte e re që ia dha këtë figurë ndaj të ciles publiku ka çdo respekt. Ishin ato role të interpretuara në saje të asaj dashurie dhe ndërgjegja profesionale, sepse thotw Margaita:

“Cdo njeri kur bën një punë ai do të zbardh faqen e vet. Sepse kjo punë nuk është vetëm imja, është e të gjithëvë. Do t’iu servohet spektatorëve! Këtë që e bën arti nuk e bën askush. Me një koncert, me një dramë, me një film, njeriu bën një politikë madje të madhe. Ky është një mesazh i fuqishëm për brezat që vinë. Dhe, kjo përgjegjësi sot është rritur më shumë se asnjëherë, sepse tash kemi thinja në kokë dhe nuk na falet që të dalim para spektatorit të papërgatitur!”

Mesazhet e artit janw mw tw fuqishmet 

Margarita Xhepa i përket një brezi të papërsëritshëm aktorësh.Ajo mbeti njëra ndër figurat më të çmuara të teatrit dhe filmit shqiptar. Me çdo rol u mishërua duke e bërë pjesë të veten. Ndër rolet e saj të realizuara me sukses është edhe ai në filmin “Dimri i fundit”, në të cilin me 42 vjetët e saj luajti moshën 60 vjeçe  e sidomos roli në filmin “Toka e përgjakur”, të cilin e fut brenda vetes si një skenë të jetës. Dhe, ky intepretim i suksesshëm nuk ishte vetëm skica që bën aktori për të krijuar biografinë e rolit. Ajo të gjitha këto i kishte përbrënda, sepse rwfen aktorja:
“Për mua ky rol ishte i freskët! Unë i kisha parë,i kisha,lexuar dhe përjetuar vet këto ngjarje. Se kjo nënë, kjo grua e varfër që rrit ata fëmijë në atë varfëri të skajshme, në atë shtypje do të thosha, nuk gëzonte asnjë të drejtë që të kishte atë copë të tokës së vet, atë vijën e ujit, që në fund të fundit ishte e saja. Se, atë ia privonte beu. Të hysh në ngjarjen e rolit, ky është personazhi! Kështu që unë e përjetova atë dhimbje të kësaj gruaje, jo duke qarë burrin por duke mallkuar:”Të vrau beu, të vrau katili, për një vijë uji për- një copë toke!”Pra ishte një protestë, një klithmë, një mesazh i fuqishëm që:”Boll më. Kur do të marri fund për popullin tonë?!” Dhe, unë e përjetova si Margaritë, si nënë, si grua që merr pjesë në dhimbjet e këtyre grave. Pra, ka qënë ky bagazh, ky material që neve artistëve nuk na falet të mos e përjetojmë !”

Në vazhdën e karrierës artistike ishte edhe filmi i suksesshëm “I dashur armik”, ku luan rolin e Nënëmadhes nga lashtësia ku për t’i qëndruar sa më besnik kohës kur edhe u zhvillua ngjarja, Nënëmadhja mban dy shami në kokë. Por, angazhimi saj nuk mbetet këtu. Se, edhe kur në epiqendër të filmave janë moshat e reja, kur është fjala për moshën e vjetër angazhimi i saj nuk mohohet. Arti ka nevojë për moshë. Spektatori do që në skenë moshen ta luajë mosha. Ai nuk do që të shtrëngohet një aktor i ri të luajë të moshuarin. Atë nuk pretendon ta bëjë as aktorja e madhe shqiptare, siç nuk ka pretenduar të luaj kur ishte e re një më të moshuar.

“Streha e te harruarve” se shpejti ne Kosove 

 

Wshtë një falsitet para vetes, para partnerit, por mbi të gjitha para spektatorit. Unë jam e lumtur që në këtë 70 vjetor që ju më përgëzuat, përveç rolit të Nënëmadhes në filmin “I dashur armik” unë pata dhe një rol tepër të dashur në një pjesë teatrale shumë të suksesshme “Streha e të harruarve” që u dha para përmbylljes së sezonit. Është shkruar nga i mirënjohuri Ruzhdi Pulaha dhe është një ide shumë e bukur e autorit, i cili ka jetuar gjithmonë me shqetsime të skenës dhe për brezin tonë ka shumë respekt. Këtë pjesë teatrale, tragjedi-komedi, ai e shkroi me rastin e 60 vjetorit(24 maj). Ngjarja zhvillohet në një azil pleqësh, me një brez të harruar jo vetëm aktoresh por profesionesh të ndryshme ku krijohet një lloj dialogu i bukur jetësor dhe nje lloj konflikti me probleme sociale qe na rrethojnë. Kemi aktor kryesisht të vjetër dhe ne punuam me atë pasion që e karakterizoi brezin tonë. Pjesa na doli mjaft mirë dhe spektatori na dha duartrokitjet, sepse aty vërtet shohin gjithë ato që na rrethojnë. Në Tiranë është pëlqyer shumë. Por, kemi një përshpëritje të bukur në vesh që do na bien edhe në Prishtinë. Do gëzohem shumë!“-thotë aktorja, e cila kujton me dashuri ardhjen e saj të parë në Kosovë para shumw vitesh.

“Kur në vitin ’71 për herë të parë erdha në Kosovë dhe degjova kosovarët tek flasin, kam thënë: “Uaah!Po këta ditkan shumë bukur shqip!”Dhe kjo është shumë e dhimbshme, sepse kështu ishte rrënjosur tek unë, pse mos ta them? Une i dua kosovarët. Kam respekt të madh për të gjithë artistët e sidomos, për poetët e mrekullueshëm që janë atje,pa përmendur emrat se ata me krijimet e bukura e kane evidentuar veten. Unë i kam përcjellë dhe do t’i përcjell vazhdimisht, sepse krahas roleve në kinematografi dhe teatër e kam dashur dhe e dua shumë poezinë dhe poetët tonë të mrekullueshëm siç thotë Dritëroi jonë i madh:”I dua, i dua poetët me zemër të gjërë sa deti”. Ata nëpërmjet poezive japin një mesazh të mrekullueshëm. Secila prej tyre ka historinë dhe bukurinë e vet, dhe mua më ka dhënë shumë kënaqësi.Aq më shumë kur ajo më nuk po mbetet e vdekur vetëm në libra.Ajo ka marrë jetë!”

Margarita  do poetet dhe poezine

Margarita Xhepa jo  vetëm filmin por edhe poezinë e deshi shumë. Në çdo kohë e në çdo vend,me zërin e saj u mundua t’i jep shpirt e jetë dhe edhe me 70 vjetët e saj mbeti e lidhur me poezinë poaq ngushtë sa dikur, kur ishte vetëm një çuperline nga Lushnja. Artistja e madhe është e lumtur për bashkëpunimin e ngrohtë mes shqiptarëve këndej dhe matanë kufirit.Ajo flet me emocion për teatrin dhe filmin kosovar,duke kujtuar kështu prezantimin e mrekullueshëm te aktoreve kosovar nëpër festivale të ndryshme,si në: “Festivalin Kombtar-Nderkombtar” në Elbasan; “Festivalin e aktorit” në Fier; “Festivalin Klasik”në Butrint,; Festivalin e Komedisë” në Korçë,etj. Mirëpo si dëshmi e këtij bashkëpunimi të frytshëm është edhe premiera e filmit të fundit “I dashur armik”e cila u shfaq në Prishtinë. film me skenar të shkrimtarit të mirënjohur Dhimitër Xhuvani dhe i realizuar me mjeshtërinë e regjisorit tashmë të mirënjohur Gjergj Xhuvanit. Një film tepër interesant,me përmasa që arriti performanca mjaft dinjitoze.Po ky film mori pjesë edhe në një festival në Sarajevë ku u prit poaq mirë.Për këtë dëshmojnë fjalët me konsideratë të kritikëve atje e këtu si dhe artikujt që janë shkruar për të.

Nwnwmadhja e filmit”I dashur armik”

Ka një temë tepër interesante,një fenomen shqiptar të madhërishem,që ndoshta bota nuk e ka bërë. Që në atë varfëri,por në atë fisnikëri të madhe,në gojë të ujkut(që atëherë ishte gjermani),shqiptari ka strehuar qifutin, italianin, gjermanin, ballistin. Pastaj është realizuar me një dashuri të madhe njerëzore.Ka një thirrje për paqe midis njerëzve,një respekt.Prandaj është titulli “I dashur armik”,që don të thotë në të ardhmen do jemi miq.Këtë e dëshmon edhe sotmja si me gjermanët e poashtu me italianët e me qifutët!“,thotë akorja e madhe,e cila në këtë film përfaqëson nënën ballkanase me gjithë tiparet dhe virtytet e saj.

“Jam munduar që ta plotësoj këtë personazh nga gjithë bagazhi i nënave shqiptare që kam unë si aktore.I këtyre nënave të mrekullueshme që ndoshta nuk kanë bukë në shtëpi,por kur troket dera do thotë:”Bujrum! Bashkë me dyert hapen edhe krahët e nënës!”-thotë Margarita Xhepa,e cila interpretoi me sukses rolin e Nënëmadhes “me zemrën e gjerë dhe shpirtin e sakrificës”.
Një jetë e tërë me rolet dhe jehonën e duartrokitjeve të publikut. Por, edhe pse i vështirë dhe shpeshherë i dhimbshem, arti për të gjithnjë mbeti i bukur. Cdo karakter i ri i fjeti në një pjesë të qenies. Cdo rol i intepretuar, la prapa një fashe drite, si kometa.Dhe, çdonjëri prej tyre kujtime të denja për kujtesën. Por, kujtimin më të bukur e ruan në Amfiteatrin “Epidhavro” të Athinës sepse me paraqitjen dinjitoze në “Elektra”-n e Sofokliut Amfiteatrin madhështor të zbuluar para 100 vjetësh, Margarita Xhepa jo vetëm jetesoi ëndrrën e saj të kahmotshme por nderoi kulturën dhe artin shqiptar. Dhe, këtë lavdi nuk ia fali askush. Këtë e fitoi me kokrrat e djersës vit pas viti!

#margaritaxhepa

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You cannot copy content of this page