Nga metropoli në Grykën e Strellcit

Mergimtari Rexhe Hajrizaj
Mulliri i Hajrizajve

25 shkurt 2011, Dojce Vele. Në vitet ´50, kur në mungesë të fuqisë punëtore Gjermania nënshkroi marrëveshje rekrutimi me dhjetëra shtete, një numër punëtorësh u soll edhe nga vendet e ish-Jugosllavisë, së cilës federatë i përkiste edhe Kosova. Një pjesë e këtyre  punëtorëve ndërkaq u bënë shtetas të Gjermanisë, ndërsa të tjerë pas pensionit iu rikthyen Kosovës.

Një rrugë zigzage në Grykë të Strellcit rreth 8 kilometra në veri të Decanit, con në një oborr të gjërë në të cilin kullosin dhjetëra pula. Nga diga e lumit, derdhen dy gurra si ujëvara duke formuar rrjedhën e furishme e cila vë në punë mullirin e improvizuar brënda kasolles prej druri. Ështe ky mulliri i Regjë Hajrizajt, i cili megjithëse i lindur në familje mulligjinjsh dhe në pleqërinë e thellë i rikthyer zanatit të të parëve të tij, 30 vjet të jetës punoi dhe jetoi në Mynih të Gjermanisë.

„Unë kam jetu 30 vjet n´Mynih t´Gjermanisë. Dy vjet kam punu në Like Metal, pjsesë për aeroplana e ma vonë ndërtimtari në Oktiv, Holzman, Likemetal, Boll, n´tetana firmat ku jonë konë ma t´mëdhatë kam punu vec unë si punëtorë. N´Gjermani kam jetu mirë, në banesë teme ku i pagujsha 600 marka, por i kam pas tetana, se shteti gjermon është shtet i fortë, shtet i moqëm… Tash e marr pensionin prej Gjermanisë rregullisht“, rrëfen 76 vjecari Hajrizaj, duke hyrë në kasollën-mulli I cili tash po mbulohet nga fjollat e dendura të borës.

Hajrizaj:”Në Gjermani tani vetëm si vizitor” 

Në vitet 50-të, kur nga mungesa e fuqisë punëtore në Gjermani u lind nevoja për rekrutimin e punëtorëve nga shtetet e tjera, pas marrëveshjes së parë me Italinë me 1955, lulëzimi i ekonomisë imponoi marrëveshje më dhjetëra shtete të tjera, në radhën e të cilave me 1968 u gjet edhe federate e ish-Jugoslavisë. Ndër rekrutët e shumtë nga Kosova ishte edhe Regjë Hajrizaj, atëbotë 33 vjecar, i cili si shumë të tjerë u nis për Gjermani me qëllimin e vetëm: të punonte përkohësisht dhe me paratë e fituara t´i kthehej familjes për të cilën do të siguronte një jetë më të mirë. Për dallim nga shumica e bashkëmoshatarëve të tij, ai Gjermanisë i rikthehet vetëm për vizitë:

“Qyre cka po t´thom! Për me rrnue n´Gjermani jo kurrë. Qe, qetash jom konë, po kreva punë e u ktheva. Piva kafe aty ku pishim me shokë e gjysma e shokëve të mi, edhe ma t´ri se unë tashti janë n´toke…Unë kom dhonë bukë sa s´ka dhanë kush n´Evropë, me muaj I kam mbajt shqiptarët n´banesë me bukë. Por, sot Allahu ma ka falë shnetën sikur më i pas dhjetë vjet. Kurrë te mjeku s´jom konë, e ishalla s´shkoj kurre!“

Regjë Hajrizaj ka gjet prehjen rrëzë bjeshkës 

Një peshore pranë derës së hapur, një arkë druri me miell në kënd dhe thasë me drith e miell rreth e qark gurit që bluan misrin, është pamja e brendshme mullirit gjashtë me katër nën të cilin rrjedh uji furishëm. Ndërsa, matanë murit me dërrasa, një dhomë e vogël me një shtrat, një tavolinë dhe një stol të drunjtë, është dhoma ku 70 vjecari Regjë Hajrizaj fle e zgjohet përditë.

„Qe qetu rri e fle. Qe, këtu asht shtrati, aty stufa, tavolina, stoli…Krejt sende t´mocme jonë kto. Unë, pensionin e marr prej Gjermanisë rrgullisht, por kjo ma con mallin si n´kohë t´moqme kur n´Strellc i kemi pas tetë mulli, e tash janë mbet vec dy. Dhjetëra katunde prej Peje n´Gjakovë ktu e binë drithin me e blu. Se unë para se me shku n´Gjermani, ku o konë një mulli jom shku e kam punu për një kafshatë bukë“, rrëfen mulligjiu i vjetër, duke shprushur zjarrin në stufë, ogjaku i së cilës nuk ndalet në asnjë stinë.

Prehja e vërtet veç në Grykën e Strellcit

Vizitorët që frekuentojnë këtë panoramë të banueshme, ky mërgimtar i riatdhesuar i mirëpret pula, vezë të freskëta dhe bukë misernike  të cilat i shtron në tavolinën e drunjtë. Për netët me vapë vere ai ka ndërtuar shtratin në mes të lisave. Ndërsa problemin e energjisë elektrike do ta zgjidh në mënyrën e tij.

„Ajo tavolinë me karrika tanaheret kur asht dita e mirë me u hungj, vinë këtu do si kanë qejf me e pa këtë vend. Atë shtrat e kam mbaru me fjet verës. Edhe pulat i kam këtu, për mysafirë krejt. Këtë e kam qel n´daq me e dit për sport temin“.

Për dallim nga „gastarbieterët“ e shumtë të cilët punuan dhe mbeten në Gjermani duke tërhequr pas vetes edhe familjet e tyre, lidhja e gjeneratës së dytë me shtetin gjerman dhe këputja e lidhjeve me Kosovën në rastin e Regjë Hajrizit s´mund të vinte në shprehje, kur ai bashkëshorten dhe kater djemtë e tij nuk i mori as për vizitë. Dhe, përderisa nga pasardhësit e „punëtorëve-mysafirë“demografia e shtetit gjerman u shndërrua në një popullsi me origjinë të shumëllojshme, plaku 76 vjecar, megjithese kaloi një jetë në gjirin e një metropoli, lumturine e vërtet e gjeti vec në grykën magjepsë të Strellcit të tij…

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You cannot copy content of this page