Hapja e muzeut shqiptar në SHBA inicohet nga një kolonel amerikan

Kompleksi i uzines se armes “Colt’, ndertuar ne vitet 1850
Projekti per “Sem & Elisabeth Colt, ku planifikohet dega e muzeut shqiptar

27 shkurt 2019. Në Hartford të SHBA-së pritet të hapet dega e muzeut shqiptar, ku do të rrëfehet mbijetesa e kulturës dhe traditës shqiptare nga invazionet pushtuese e shtypëse ndër shekuj si dhe roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në shpëtimin e Shqipërisë nga copëtimi i dytë, në çlirimin e Kosovës si dhe në konsolidimin e të dyja shteteve.

Qendra për Trashëgiminë Historike dhe Industriale Amerikane  “Sem & Elisabeth Colt”, në Hartford-CT, e themeluar si kompleks i uzinës së armëve me 1855 nga Samuel Colt- shpikësi i parë i armës me cilindër 6 fishekësh-Colt,  pas rreth një shekulli synohet të shndërrohet në një qendër historike në kuadër të së cilës do të jetë edhe muzeu shqiptar.

Kol.Griffin me presidentin Rugova me 1999, ne Prishtine

Kol.Griffin:”Shqiptarët kanë një histori të lashtë, të pasur dhe të lavdishme”

Sepse, shqiptarët kanë një histori të lashtë dhe të pasur që nga pellazgo-ilirët, të lavdishme në epokën e Gjergj Kastriotit-Skenderbeut, si dhe heroike të luftës për liri dhe pavarësi nga pushtuesit e ndryshëm, thotë për RTK-në themeluesi dhe drejtuesi i kësaj qendre kol.James Griffin, ish ndihmës i Shtëpisë së Bardhë i cili gjatë luftës së Kosovës zhvilloi takime me përfaqësues të UÇK-së, me ata të
qeverisë së përkohshme si dhe me presidentin Rugova, për të përcjell qëndrimet e tyre tek shteti amerikan.

“Ne kemi një projekt tejet të bukur, pozitiv por dhe meritor për popullin shqiptar brënda kompleksittë Kolteve sepse mendoj se shqiptarët janë amerikanët e rinj më të mirë. Këtu do të rrëfenim përpjekjet heroike të shqiptarëve të cilët përkundër viktimizimit nga shtypjet e vazhdueshme nga pushtuesit e njëpasnjëshëm ia dolën të mbajnë gjallë kulturën dhe identitetin e tyre.Por, mbi të gjitha, kjo do  të na shpie nëpër përvojën amerikane në ndihmë shqiptarëve në mbajtjen gjallë të kulturës dhe identitetit të tyre që nga ndërhyrja e presidentit ëillson për shpëtimin e Shqipërisë nga një copëtim i dytë e deri tek presidenti Klinton në Kosovë gjatë konfliktit me serbët me ’97-’99, përfshirë konferencën e paqes në Rambuje e tutje”.

Gjate intervistes me sipermarresin Ragip Kalaja ne Hartfort,CT

Muzeu shqiptar-sihariq për komunitetin shqiptar

Dhe, ky është një sihariq për shqiptaro-amerikanët të cilët po përpiqen  të mbajnë gjallë gjuhën shqipe, kulturën dhe traditën edhe në këtë kontinent të largët. Ndër ta janë edhe Nexhdet dhe Valon Avdimetaj, nga Strellci I Deçanit me banim ne rrethinat e Hartfordit, të cilët tashmë janë pavarësuar në bizneset e veta. “Në familjet tona flasim vetëm shqip dhe fëmijët e dinë gjuhën qind per qind sepse është jona dhe do të mundohemi ta ruajmë përgjithmonë dhe ta përcjellim te brezat e rinj. Por, të kemi një muze shqiptar në shtetin tonë ky do të ishte gëzimi më i madh dhe ndihma  jonë nuk do të mungonte asnjëherë. Ne kemi edhe relikte të shumta nga trashegimia jonë familjare të cilat i ruajmë me fanatizëm dhe me t’u hapur muzeu shqiptar këtu, ne te gjitha do t’i dhurojmë për ta pasuruar sa më shumë. Sepse mburremi me kulturën tonë të pasur dhe me faktin se jemi shqiptar”- thotë Nexhdeti. I vëllai Valoni shton se ata
japin më të mirën që fëmijët e tyre të jenë sa më afër gjuhës, kulturës dhe historisë sonë: “Ne gjithëmonë komunikojmë në gjuhën shqipe dhe fëmijëve ua shpjegojmë historinë e traditën në mënyrë që ata edhe këtu të jenë krenar me kulturën tonë të pasur. Dhe, është kënaqësia më e madhe të dëgjosh se këtu mund të hapet një muze shqiptar, sepse vetëm ashtu mund t’iu tregosh popujve të tjerë se cili kush jemi ne? Ndërsa, kur kjo iniciativë vjen nga një amerikan, kjo na bën shumë krenar sepse ne jemi të vetdishëm se po mos të ishte Amerika ne nuk do te ishim të lirë e aq më pak do të bëheshim shtet. Ndaj, jam shumë i lumtur dhe krenar që historia dhe kultura jonë të prezantohen në SHBA, gjegjsisht në shtetin ku jetojmë, në Connecticut”, thotë Valoni.

Komuniteti shqiptar në SHBA:”Gjuha dhe kultura shqipe janë pjesë e pandashme”

Me kolonel James Griffin dhe artistin Xhevat Limani, Connecticut

Përderisa, për Ragip Kalanë, nga Prishtina, poashtu i pavarur në biznesin e tij në qarkun e Hartfordit, gjuha, kultura dhe tradita jonë janë pjesë e  pandashme e familjes. Ndaj, themelimi i një muzeu shqiptar nga një amerikan si kol.Griffin, është nderi më i madh që mund t’i bëhet popullit shqiptar në përgjithësi: “Është krenari! Inshallah jep Zoti e bëhet kështu që do të angazhohem të ofroj gjithë mbështetjen timë. Se, përkundër mundësive që ofron shteti amerikan, këtu është vështirë të ruash historinë e kulturën kombtare… E po ta kemi një muze, atëherë do t’i dërgonim fëmijët të dinë se prej nga vimë dhe të njihen më mirë me historinë tonë”, thotë Kalaja.

I diplomuari në West Point dhe ish ndihmësi i Shtëpisë së Bardhë, kol.James Griffin, thotë për RTK-
në të jetë në bisedime me 4 profile të larta: përfaqësues të familjeve më të mirenjohura filantrope amerikane , të cilët janë të gatshëm të ofrojnë mbi 15 milion dollarë për blerjen dhe transformimin e kompleksit 17 hektarësh të uzinës historike të armëve Colt, të viteve 1850, kur kjo industri ishte në pikun e famës. “Çfarëdo ndihme për ne do të jetë e mirëseardhur, sepse do të përshpejtojë realizimin e projektit dhe do të na lehtësonte punën tonë për të treguar jetësuar një pjesë historike të Hartfordit, brënda së cilës do të sillej edhe rrëfimi historik i popullit shqiptar”, thotë Griffin.

Kol.Griffin: “Kërkojmë bashkëpunimin e muzeve dhe të shqiptarëve të mirë”

Wodrow Wilson-Presidenti historik i cili shpetoi Shqiperine nga nje copetim i dyte

Ndërsa, mënyra më e mirë për ta realizuar projektin e Muzeut Shqiptar brënda kësaj qëndre historike është bashkëpunimi me muzetë në Tiranë dhe në Prishtinë si dhe me qytetarët vullnetmirë të cilët do të ndihmonin me eksponate të ndryshme kompletimin e historisë sonë, thotë z.Griffin. “Në këtë
mënyrë do të përpiqemi që me anë të artefakteve të dëshmojmë historinë e shqiptarëve që nga Gjergj Kastrioti dhe përvoja me turq kur shqiptarët ishin të detyruar të konvertoheshin në musliman, pastaj ndërhyrjen e Amerikës të mos lejoj copëtimin e dytë të Shqipërisë nga fuqitë e mëdha dhe zhdukjen nga harta, te ndërhyrja për çlirimin e Kosovës në ndihmë Evropës të hiqte qafe diktatorin e fundit, Sllobodan Milosheviq. Dhe, për këtë na duhet ndihma e institucioneve shqiptare dhe e shqiptarëve të mirë”,thotë kol.Griffin.

Sepse, në historinë shqiptaro-amerikane ka çfarë të rrëfehet, kur ishte vizioni i shqiptaro-amerikanëve dhe roli historik  i presidentit Woodrow Willson të cilët shpëtuan Shqipërinë. Ndërsa, rrëfimi në një muze i këtij rrugëtimi të përbashkët shqiptaro-amerikan do t’i hap historisë sonë një dritare të re para botës, nëpërmjet së cilës popujt e ndryshëm do të prekin nga afër përpjekjet, luftën dhe sakrificën e shqiptarëve për mbijetesë, liri dhe pavarësi në trojet e tyre shekullore…

Ajetë Sh. Beqiraj, RTK

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You cannot copy content of this page