24 shkurt 2019, RTK. Për përfaqësuesit e politikës amerikane në Hartford-CT,kultura shqiptare është dekor i diversitetit kulturor në SHBA ndërsa bizneset shqiptare-shtyllë e zhvillimit ekonomik. Dhe, prandaj në përvjetore të pavarësisë, flamuri kombtar shqiptar dhe ai i Kosovës me ditë e javë valojnë lirshëm mbi ndërtesat e legjislativit amerikan.
Për ne, diversiteti kulturor është diçka e bukur e cila na begaton si shtet në përgjithësi, thotë për RTK-në Edwin Vargas JR., përfaqësues i shtetit amerikan në Hartford, kryeqytetin e shtetit Connecticut. “Mendoj se historia dhe kultura shqiptare është shumë e pasur. Shqiptarët janë pozitiv dhe të përkushtuar të ruajnë kulturën e tyre, kontaktet me familjet e veta në vendlindje për t’u siguruar se fëmijët do të njohin farefisin dhe do të forcojnë lidhjet me rrënjët e veta-thotë Vargas Jr. për të shtuar se – Unë kam 35 vjet ne arsim dhe kisha shume
studentë shqiptar. Këtu, mbi Capitol Building qe një javë nga përvjetori i pavarësisë së Kosovës po valon lirshëm flamuri i shtetit tuaj. Ndërsa shpresoj që një ditë të jem në gjëndje të vizitoj Kosovën, Shqipërinë dhe vendet përreth të cilat na dhanë qytetarë të rinj në Hartford duke na begatuar kulturën dhe ndihmuar komunitetin me bizneset e tyre “.
Kryetari Bronin:”Shqiptarët janë mbështetësit më të mëdhenj të vlerave amerikane”
Për kryetarin e Bashkisë së Hartfordit Luke Aaron Bronin, komuniteti shqiptar në Amerikë jo vetëm është i përkushtuar ndaj familjes dhe besnik ndaj atdheut por ata janë poaq aktiv brëda komunitetit. “Në Hartford kemi afaristë të suksesshëm shqiptarë, profesorë, doktorë, arkitektë, bankierë, etj., ndërsa si komunitet, shqiptarët janë patriotët më të përkushtuar amerikan dhe mbështetësit më të mëdhenj të vlerave të verteta amerikane. Kjo është arsyeja e cila komunitetin tonë shqiptar e bën kaq të rëndësishëm për ne jo vetëm si qytet, por edhe si shtet dhe si komb. Shqiptarët, me promovimin e artit dhe të kulturës
kanë arritur të ruajnë identitetin e vet. Ndërsa, ne jemi krenar të punojmë në partneritet me ta dhe të mbështesim përpjekjet e tyre ta
çojnë përpara Qendrën e Komunitetit Shqiptar, ku do t’ua mësojnë fëmijëve gjuhën e vet dhe të përcjellin traditën brez pas brezi”-thotë kryetari Bronin.
Dhe për iniciativa të tilla si hapja e shkollës shqipe apo ngritja e flamurit në Capitol Building është dashur shumë kohë dhe durim, thotë afaristi shqiptar Artan Martinaj, anëtar i kryesisë Sindikatave të Pavarura të Transportit në shtetin Connecticut i cili është edhe kryetar i Qendrës së Komunitetit Shqiptar(ACC), në Hartford.”Sepse, ngritjen e flamurit janë munduar ta bëjnë edhe pararendësit tanë me vite dhe nuk ia kanë dalë. Ndaj, konsiderojmë se ndër sukseset më të mëdha të ACC-së është ngritja e flamurit kombtar dhe shtetror në Capitol Building. Se, duke qënë i emigruar këtu për 30 vite
nga presionet barbare serbe mbi familjen time në Martinaj tw Plavës dhe Gucisë, unë pothuaj u rrita me përfaqësuesit e politikës së këtushme por edhe duke e çmuar punën dhe mbështetjen e komunitetit tonë, përfaqësuesit e legjislativit ma dhanë këtë mundësi me
kënaqësi. Komuniteti ynë e priti shumë mirë, meqë shumica nuk besonin se do te realizohej ndaj kjo është krenari për të gjithë shqiptarët kudo që jemi. Ndërsa, suksesi tjetër është hapja e shkollës shqipe në kuadër të qendrës sonë e cila pas një luhajtjeje së shpejti do të rikthehet edhe më e fuqishme”,tha Martinaj për RTK-në.
Shqiptarët hapin dyert me punë dhe sinqeritet
Përderisa, aktivistë të rinj si Kreshnik N. Maloku, janë shembull për vullnetin e mirë dhe energjinë pozitive për unifikimin e komunitetit si dhe të ecjes së përbashkët drejt arritjeve të reja. I emigruar para 6 vitesh dhe aktualisht me punë në kompaninë për dizajnimin, prodhimin dhe mirëmbajtjen e motorëve të avionëve civil dhe ushtarak Pratt & ëhitney si dhe si anëtar kryesisë së ACC-së ai ripohon krenarinë e
ngritjes së flamurit kombtar dhe të shtetit të Kosovës në Capitol Buliding, në Hartford. “Dhe, kjo po ndodh qe disa vite meqë datat e pavarësimit tonë, 28 nëntori respektivisht 17 shkurti janë fut në kalendarin e festave. Se, ndonëse në Hartford dhe këtu ka komunitete tjera shumë më të mëdha dhe më me influencë, por këtë e kemi arritur me bashkëpunimin tonë të sinqertë. Si qendër, kemi hap edhe shkollën shqipe, organizojmë edhe festivalin dhe aktivitete tjera. Ndërsa, siç e patë edhe vet, në këtë
ndërtesë ndjehemi si në shtëpine tonë dhe kjo sallë na ofrohet për shfrytëzim në shënimin e datave më të rëndësishme kombtare, ku na bashkangjiten kryetarë, guvernatorë, kongresmenë e senatorë sepse puna dhe sinqeriteti jonë që na ka ofruar më politikën amerikane, pa dallim. Ndaj, pavarësisht sifdave nëpër të cilat po kalon Kosova ndërkohë, unë desha të përcjell mesazhin e pararendësve tanë:”Mbahu nën’o…Mos kij frikë se i ke djemtë në Amerikë!”
Shqiptarët në ShBA ruajnë vlerat kombtare dhe promovojnë vlerat amerikane
Psikologu Blerim Rexhaj, emigrantë shumëvjeçar nga Peja, i cili trajton refugjatët e traumatizuar nga lufta dhe nëpërmjet duarve të tij kaluan qindra të traumatizuar boshnjakë e shqiptarë nga luftërat e përgjakshme të shpërbërjes së ish Jugosllavisë, vjen me idenë për themelimin e një reviste shqipe në Hartford. “Sepse, komuniteti ynë në Hartford është mjaft i organizuar dhe Qendra e Komunitetit
Shqiptar(ACC)ka një kontribut të veçantë në përafrimin e politikës amërikane me çështjet që na përkasin si komunitet shqiptar, pastaj hapja e një shkolle shqipe, ngritja e flamurit,etj. Por, duke qënë se kemi një zhvillim të dukshëm si komunitet në çdo lëmi, unë mendoj se është koha që të fillojmë botimin një revistë mujore. sepse, ne kemi shumë intelektualë të cilët mund të kontribuojmë të provojmë të arrituat tona apo edhe të sjellim sa më afër çështjet jetike për shqiptarët në Connecticut”-thotë dr. Rexhaj.
ACC – mozaik i pasur i profileve të ndryshme
Përderisa, Nazim Salihu-Noli, stilist, emigrant i hershëm i cili tash 10 vite jeton në qarkun e Hartfordit, është gjithëmonë aty për t’u përkujdesur për një prezantim të dinjitetshëm të organizatorëve në festat kombtare dhe aktivite të tjera. Sepse thotë Salihu: “Në Qendrën e Komunitetit Shquptar në Connecticut jemi vullnetarë që organizojmë aktivitete të mëdha dhe une iu kam thënë se gjithëmonë mund të llogarisin në mua. Dhe, meqë në këto ngjarje kemi emra
të mirënjohur shqiptaro-amerikan unë deshiroj që secili të prezantohet sa më mirë para publikut. Ne kemi bërë shumë gjëra të bukura dhe kemi sjell njerëz të çmueshëm në ngjarjet tona, por disa prej anëtarëve kanë marr transfere dhe duhet kohë të rikuperojnë grupin. Dhe, kjo do shumë mund e sakrificë duke pas parasysh se paku një herë në javë duhet të takohemi për programin, organizimin, vendet se jo që nuk bashkpunon komuniteti por gjatë ditëve të punës është problem…Por, sa më përlet mua, unë përpiqem të jem në dispozicion sa herë e kërkon nevoja”-thotë Salihu- Noli.
Hartfordi është kryeqytet i shtetit Conecticut si dhe njëri ndër qytetet më të vjetra të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërsa, komuniteti shqiptar brënda tij vazhdon të jetë i mbledhur rreth organizimeve të ndryshme duke ruajtur trashëgiminë kulturore shqiptare, promovuar vlerat amerikane si dhe kultivuar tutje lidhjet e ngushta dhe me peshë historike ndërmjet të dy popujve që nga bërja e Shqipërisë e deri në çlirimin e Kosovës, pavarësimin dhe konsolidimin si shtet.
Autore: Ajetë Sh. Beqiraj, RTK