“How very quietly you tiptoed into the world, only for a moment you stayed. But what an imprint your tiny footprints left on our hearts.”-Dorothy Ferguson
Makina po ecte drejt fshatit. Po e conte në shtëpinë, deri dje te mbushur gëzim për djalin që prisnin të bëhej burrë….”Një katund prej tij!”. E tashmë, po ata njerëz ishin mbledhur për ngushëllime. Rruga ishte e gjatë, e pafund. E makina sikur nxitonte të ia kthente nënës në prehër. Të cmallej me të për herë të parë, se ai ende nuk njihte ngrohtësinë amërore…Për herë e të fundit,sepse ai kaq kishte. Vrushkuj lotësh të valë ia digjnin faqet. Ata përvëlonin edhe ballin e arkivolit me mbishkrimin : “Exitum Letraris”……. E ajo, donte te shihte më shumë se datën e vdekjes se tij. Donte ta shihte, ndonëse të atillë nuk e kishte desheruar kurre. Ta njihte tani kur ishte një trup i pa frymë. Ngadalë hapi paketën dhe e pa gjatë me sytë e larë në lotë. Trupi i tij i vogël prehej në qetësinë hyjnore. E përshkoi me dorë fund e krye, ia dalloi gjymtyrët e vogla, të fikura sikur desh të cmallej me brishtësinë e trupit të tij, pothuajse të gjallë. Ia largoi edhe mbulojën nga fytyra. Nën të u shfaq një ballë dhe një hundë e vogël. Një faqe nur e mbytur në njolla gjaku. Nuk guxoi ta prekte më. E lau me lotë. Se, vetëm aty e ndjeu sa shumë dhembte kur shuhej një jetë ende pa filluar. Koka e tij ishte pranë zemrës së saj. Dora e saj mbi zemrën e tij… Mbi atë zemër të vogël,e cila nuk mundi të mbijetojë egërsinë e kësaj bote!
Një frenim i makinës e tronditi. E ajo, e shtrëngoi fort që të mos i lëndohej trupi i vogël. Qe të mos i vrahej shpina e celur varrë ku kishte mbetur shtrirë qëprejse erdhi në jetë. Në cast harroi se mortja e kishte marrur në krahë dhe ai nuk ndjente më asgjë. Atë nuk do ta bënte më me vaj afërsia e nënës, si atë ditë kur për herë të parë e ndjeu praninë e saj. As nuk do të lëvizte sikur dje, kur mjekët babanë e tij e kishin lejuar edhe ta prekte, tashmë kur e dinin se nuk kishte më shpresë. Ai nuk do të ndjente kurrë më shenja jete, se fija që e lidhte me botën ishte shkëputur përgjithmonë!
Në fshat të gjithë i dolën përpara. Ajo kërkonte motrën t’ia lëshonte foshnjën në prehërin e zbrazët të lehonës. Pranë barkut të këputur e të mbushur helm, që me qumështin e gjirit t’ia lagte buzët e ngrira në gjak. Por pa nënën, të cilës iu lëshua në krahëror pafuqishëm. Se, në cast koha kishte ndaluar dhe ajo ishte ngrirë mes vajesh të të gjithëve e me foshnjen e vdekur në krahë!
_Lulja e nënës!…Drita e nënës!-dëgjohej zëri i dredhur i nënës, teksa e vënte në djepin e veshur me punëdoret e punuara me dashurinë më të madhe. Në djepin që e kishte pritur të gjalle, ta përkundte e ta vënte në gjumë. Në gjumin e jetës!
Tashmë, trupi i Gëzimit të vogël prehet në Fushën e Thatë e shpirti i dëlirë loz bashkë me engjujt…