27 maj 2013, Dojçe Vele. Kosova si vend shumeetnik ne te cilen bashkëjetojnë bashkesi te ndryshme fetare, pavarësisht konflikteve përgjatë historisë, ka si vlerën më të madhe trashëgimore në shoqëri tolerancën ndërfetare, e cila mbijetoi ndër shekuj. Në kete fryme u mbajt edhe konferenca ndërkombëtare “Feja dhe Pajtimi”, e cila mbodhi mbi 120 teologë dhe udhëheqës fetarë vendas dhe nga e mbarë bota.
“Soul of Europe” për konferencën me temën “Feja dhe Pajtimi”mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, ambasada norvegjeze, ambasada britanike dhe Këshilli Britanik për Fenë zgjodhi Kosovën.Dhe kjo, për shkak të historisë së viteve të fundit, thotë për DW Donald Reeves, themelues i kësaj organizate, i cili beson fort se “dialogu ndërfetar në Ballkan ka të ardhme, por se ky dialog duhet institucionalizuar dhe kjo kërkon kohë\”-thotë Reeves i cili shton se “në këtë drejtim mund të bëjnë shumë udhëheqësit fetarë, sepse është e nevojshme të kalohet në një nivel tjetër ku njerëzit me besime të ndryshme tradicionale mund të takohen, të njihen e të festojnje së bashku.“
Kryeimami Bajgora: “Bashkësia Islame e Kosovës e bashkëjetesës në harmoni ndërfetare”
Kosova si vend multietnik, ku bashkëjetojnë njerëz me besime të ndryshme, pavarësisht konflikteve përgjatë historisë, ka si vlerën më të madhe trashëgimore në shoqëri tolerancën ndërfetare, e cila mbijetoi ndër shekuj. Bashkësia Islame e Kosovës, e cila përfaqeson mbi 90 per qind të komunitetit fetar në Kosovë, vazhdon të jetë kryesuese e bashkëjetesës në harmoni të plotë ndërmjet besimtarëve, thotë kryeimami Sabri Efendi Bajgora, sepse: “Ne jemi të vetdijshëm se nuk ka alternativë tjetër përveç një pajtimi, një shikimi kah e ardhmja për hir të brezave të rinj, sepse lufta dhe urrejtja nuk kanë sjellë asnjë të mirë as në Kosove e në asnjë vend tjetër të botës.“
Don Shan Zefi: “Krishterimi predikon paqen”
Krishtërimi predikon paqen dhe duhet të bëj dialogje të afërta me bashkësitë e tjera fetare. Ndërsa, toleranca dhe dialogu ndërfetar në Kosovë është në të njëjtën frymë që predikohet nga Kisha Katolike, thotë për DW-në, Don Shan Zefi, kancelar i Kishës Katolike në Kosovë: „Ky dialog duhet bazuar në sinqeritet, i cili sigurisht nuk na mungon. Është parim se kisha dhe shteti janë të ndara, por bashkëpunojmë në ruajtjen e të drejtave themelore të njeriut, në çështjet humanitare etj., sepse kemi ideal të përbashkët të mbrojmë njeriun“, thotë kancelari Don Shan Zefi, sipas të cilit, “edhe pse kohëve të fundit ka tendenca për futjen e një fryme më radikale të grupimeve të ndryshme, toleranca tradicionale ndërfetare vazhdon, sepse populli i Kosovës ka një shpirt dhe vetëdije që nuk i pranon tendenca të tilla.“
Në kohën tonë, religjionet duhet të distancohen nga ideologjitë agresive dhe çdo akt i dhunës duke u fokusuar në misionin autentik të bashkimit të popujve, të përsosjes morale dhe shpirtërore, për çfarë nevojitet guxim dhe vendosmëri që buron nga forca e besimit në Zotin, i cili njeh zemrën e secilit, thotë për DW-në peshkopi i Rashkës dhe Prizrenit,
Peshkopi Teodosije, nga Kisha Ortodokse në Kosovë: „Unë shumë herë kam qenë në situatë që me shembullin tim t´u tregoj të tjerëve se paqja në këtë territor nuk ka alternativë. Veçanërisht jam i gëzuar që si igumeni e Manastirit të Deçanit kemi pas rastin ta dëshmojmë gjatë konflikteve dhe luftës, që të rrezikurave t´ua shtrimë dorën, pavarësisht përkatësisë etnike dhe fetare. Ne jetojmë në këtë territor dhe pavarësisht të gjithave është e rëndësishme ta kuptojmë njëri-tjetrin, se dallimet duhet të na pasurojnë dhe jo të hapin ndonjë konflikt artificial“, thotë peshkopi Teodosije.
Sipas Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, duke qenë se besimi shpeshherë është keqpërdorur për të krijuar ndarje nga elitat e ndryshme politike, dialogu ndërfetar është një komponent kryesor në ndërtimin e paqes dhe bashkëjetesës. „Kushtetuta e Kosovës definon natyrën e shtetësisë sonë si laike, ku sfera publike është tërësisht e ndarë prej aspekteve religjioze. Në të kaluarën ka pas situata të keqpërdorimit të rolit të fesë dhe të institucioneve fetare, një tendencë të përhershme dhe në mënyrë sistematike nga Kisha Ortodokse Serbe që të jetë në kontakt permanent me shtetin serb dhe anasjelltas. Por, me stabilizimin e situatës politike dhe me formimin e shtetit të Kosovës, duket që komunitetet fetare, sidomos disa që në të kaluarën kanë pas një rol jo edhe aq pozitiv në favor të paqes, përmbyllin një cikël të stabilizimit të plotë“.
Sa i përket ndikimit të politikës serbe ndaj Kosovës sipas peshkopit Teodosije i cili tha ” flas në emrin e tij tim dhe të priftërinjve që më përkasin. Edhe ne jemi njerëz dhe ndonjëherë reagojmë në ngjarje të caktuara. Ka pas gjëra të mira dhe të keqija, sprova nga të gjitha anët. Mirëpo, herë-herë është e domosdoshme të gjykojmë të keqen nga cilado anë që ajo vjen. Por, kisha porosit që paqja dhe pajtimi janë të nevojshme ndërmjet atyre që jetojnë në një territor.“
Donald Reeves nga „Soul of Europe“ theksoi, se mënyra se si religjionet dhe qytetarët mund të bashkëpunojnë për të mirën e përbashkët, janë projektetet e përbashkëta për zhvillimin e ekonomisë dhe zbutjen e varfërisë. Sepse, sipas tij, \”besimet janë në qytete, në fshatra, në lagje, në rrugë, në shtëpi ndërsa bashkësitë fetare në Kosovë, pavarësisht nga tradita e tolerancës fetare, për fat të keq vazhdojnë të jenë në vende të veçanta.”
“Feja dhe Pajtimi” ishte tema e konferencës që i zhvilloi punimet më 24 dhe 26 majnë Pejë, ku u mblodhën mbi 120 teologë dhe udhëheqës fetarë vendas dhe nga e mbarë bota. Të pranishëm ishin edhe aktivistë të shoqërisë civile, diplomatë të nga vende të ndryshme, që angazhohen në çështje të dialogut ndërfetar global.