19 maj 2009, Dojçe Velle. Projekti i rrugës Deçan-Plavë e njohur si „Korridori i tetë“, është ndër projektet më të rëndësishme rrugore e cila lidh shtetet e Ballkanit mes vete dhe me Evropën. Por, ai ka shkaktuar shumë përçarje mes komunave. Komuna e Deçanit insiston që pika e re me Malin e Zi të jetë Deçan-Plavë-Vermosh, ndërsa Komuna e Pejës në hapjen e rrugës Pejë-Qakorr-Plavë. Ndërsa, nga qeveria e Kosovës asnjë fjalë për këtë projekt i cili ishte prioritet i qeverisë së kaluar.
Janë Gryka e Rugovës dhe Gryka e Deçanit, dy rrugë të qyteteve perëndimore të Kosovës që çojnë kah gjiri i Bjeshkëve të Nemura në brezin kufitar Kosovë – Mal i Zi. Janë këto dy opsionet e mundshme për hapjen e një pike të re kufitare me Malin e Zi, e njohur tashmë si „Korridori i tetë“. Mirëpo, edhe pse mundësia e valorizimit të këtyre hapsirave me pasuri të mëdha natyrore dhe kulturore është me interes për tërë Kosovën, deri më tash, as njëra dhe as tjetra komunë nuk kanë ndonjë pergjegje nga qeveria aktuale. Mirëpo, ky projekt i cili radhitej ndër 25 projektet kapitale të qeverisë së kaluar, tash dy vjet ka mbetur nën hije, ndërsa sipas një deklarate të ministrit të tanishëm për Transport dhe Postëtelekomunikacion, Fatmir Limajt, “korridore me rëndësi të veçantë mbetën vetem korridori Morinë-Prishtinë- Merdare dhe korridori Prishtinë-Shkup”.Komuna e Deçanit: Arterja rrugore me Malin e Zi- Deçan-Plavë-Vermosh.
Projekti i viteve 60-të për asfaltimin e rrugës Deçan-Plavë i cili u aktualizua në vitin 2005, pritej të fillonte në vitin 2007. „Rrugën Deçan-Plavë prej afro 130 kilometrash, një tunel në gji të Bjeshkës së Belegut do ta shkurtonte në vetëm 43 kilometra\”, ishte insistimi i Kuvendit Komunal të Deçanit, i cili u pranua nga qeveria e atëhershme e Kosovës.
Mirëpo, për shkak të shtrirjes në 6 kilometra përgjatë zonës së veçantë të manastirit të Deçanit, ky projekt filloi të politizohej. Zëdhënësi Sava Janjiq pat dalur me propozimin për hapjen e një rruge anësore, një qarkore dhjetëra kilometra më të gjatë se rruga ekzistuese. Por, edhe pse komuna e Deçanit këtë ide nuk e miratoi menjëherë, rruga tranzitore ndërkohë ishte alternativa e vetme për të mundësuar realizimin e këtij projekti me interes për Kosovën. Projekti i rrugës Deçan-Plavë në vitin 2007 mori dritën e gjelbërt edhe nga kabineti i kryeministrit Sali Berisha, për mundësinë e shtrirjes deri në Vermosh të Shqipërisë.
Komuna e Pejës: Arterja rrugore me Malin e Zi: Pejë- Qakorr- Plavë
Nga ana tjetër, në prag të hartimit të “Strategjisë dhe Planit Zhvillimor të Kosovës 2007/2013”, pushteti lokal i Pejës doli me propozimin për hapjen e një korridori me Malin e Zi përmes qytetit të Pejës. „Rruga 23 kilometërshe, Pejë-Qakorr-Plavë, 13-të prej të cilave tashmë janë të asfaltuara, do të ishte shumë më e shkurtër se rruga përmes Kullës, si pikë kufitare me Malin e Zi“, ishte qëndrimi i pushtetit të atëhershëm pejan, të cilin kryetari i tanishëm i Pejës Dr. Ali Berisha, e konfirmon edhe si insistim të qeverisë së tij.
„Realizimi i të dyja rrugëve është me interes vendi, por insistimi im është të realizohet rruga nga Peja, meqenëse përmes kësaj rruge lidhet qyteti i Pejës me Malin e Zi, me një qarkullim shumë më të shkurtër se sa ai përmes pikës aktuale kufitare të Kullës. Mirëpo, deri më tani nuk ka sinjale që do të fillohet me realizimin e këtij projekti dhe ne ende nuk kemi ndonjë përgjejge nga nivelet qeveritare“, thotë Berisha.
Hajdinaga: “Malit të Zi pro ndërtimit të rrugës ndërshtetrore me Kosovën”
Ish-ministri për Pakica në qeverinë e Malit të Zi dhe aktualisht kryetar i komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, konfirmoi për Deutsche Wellen gatishmërinë e qeverisë malazeze për realizimin e projektit Deçan-Plavë, megjithëse nuk përmendi që projekti Qakorr-Plavë të jetë i njohur për qeverinë e Malit të Zi.
„Sa di unë – jo. Megjithëse shpresoj të kemi dhjetëra korridore, se kshtu komunkimi është edhe më i mirë. Pra, atje flitet për një korridor fare tjetër, segmentin rrugor Deçan-Plavë, që është një projekt me rëndësi për të tria shtetet: Kosovën, Malin e Zi dhe Shqipërinë”, thotë z.Hajdinaga.
Rruga Deçan-Plavë s’është prioritet për qeverinë aktuale
Megjithatë, që nga ardhja e qeverisë së re në Kosovë, asnjë lëvizje në këtë drejtim-thotë Sami Gjikokaj, drejtori për Buxhet dhe Financa në Kuvendin Komunal të Deçanit.
„Jo, ne nuk e dimë arsyen e kësaj heshtjeje edhe pse mjetet kanë qenë të ndara duke qenë se është projekt shumëvjeçar dhe ishte ndër priroitetet e qeverisë së kaluar. Edhe kompanitë tenderuese kanë përfituar tenderin, deri më tani nuk ka kurrfarë lëvizjeje në këtë drejtim“, thotë Gjikokaj.
Por, edhe pse jo gjithnjë të balancuara mirë: në infrastrukturën rrugore të komunës së Pejës vitin e kaluar janë investuaar 1.300.000 euro dhe sivjet do të investohen edhe rreth 4 milionë të tjera ndërsa në komunën e Deçanit, katër milionë është shuma e përgjithshme e buxhetit të sivjemë ndërsa vitin e kaluar për të gjitha projektet kapitale ju ndanë vetëm 500 mije euro, investimet e qeverisë aktuale të Kosovës në infrastrukturën rrugore janë më të dukshme se kurdoherë. Megjithatë, vërejtja e të dyja komunave mbetet lënja nën hije e korridorit të tetë i cili është një arterje e rëndësishme që lidh shtetet e rajonit mes vete dhe me Evropën.