Bjornsson: Kosova të reagojë në zgjidhjen e problemeve pa vonesë

Atentat!

Atentat i trefishtë në një pritë tradhtare ashtu sic dinë vetëm të pazotët. Shënjestra: një prijës lufte, një paqedashës dhe një studentit i ri! Edhe tri plagë në shtatin e Kosovës  nga kriminel qyqar të cilët fshehur pas maskave vrasin në prita. E ne, duarlidhur që t’i nxjerrim kriminelët para drejtësisë. Forcat e sigurisë që na kanë vërshuar nga të katër anët, kushedi për se, janë vetëm dekor i rrugëve e i institucioneve. Flitet zëshëm nga vendorë e ndërkombtarë për një Kosovë të lirë, derisa në gji të kësaj lirie të brishtë na vriten bijtë më të mirë. Na flasin për sigurinë edhe atëherë kur në mes të qytetit kryhen vrasje makabër dhe mbesin mister… Na flasin për tërësinë e Kosovës “një dhe të pandarë”, përderisa veriu i Kosovës ende mbahet peng. Për “paqen dhe stabilitetin”, derisa para syve të ushtarëve paqeruajtës vriten vlerat e luftës; paqja, të cilën po mundohemi ta ndërtojmë. Hovi i rinisë, në shpatullat e së cilës ka varur shpresat i gjithë kombi!

Militantë të verbër partishë…

Ndasia dhe përçarja, të cilat kanë lëshuar rrënjë ndër ne dhe në cdo përiudhë po i shfaqen popullit tonë në formë të re, sot shfaqen nëpërmjet sistemit shumëpartiak, ku në mungesë të vetëdies kanë arritur të përqajnë popullin deri në atë shkallë sa që gjatë fushatave elektorale njerëzit grinden, rrahen, urrehen deri në vëllavrasje…Sikur të regjur nën thundrën e pushtuesve shekullor na është bërë shprehi beteja e përhershme me dikë dhe një armik në është i domosdoshëm për të mbijetuar, edhe nëse atë armik duhet kërkuar përbrenda vetes. Një klimë e tillë armicësie po mbretëron edhe në Decanin e pasluftës. Një klimë mbytëse e vërshuar nga bindjet politike qoftë në familje, rrugë apo kafene, ku pas rënjes së LDK-së në zgjedhjet e fundit, simpatizantët e AAK-së sillen si zotër të vegjël në tokë dhe qëndrimi i tyre të krijon përshtypjen se me fitoren e kësaj partie edhe Kosova fitoi pavaresinë. Përderisa heshtja e anëtarëve të partisë më të vjetër vec sa akumulon energjinë në ta për përbuzje e parulla vrasjeje morale, që më shumë i shembëllejnë një komedie. Aq më tepër, kur që në ditën e parë të fitores së AAK-së, para dyerve të LDK-së u vunë kurora varresh(?!).

Të vrasësh apo t’I gëzohesh vrasjes,njësoj!

Për më tepër, atentati ndaj kolonel Tahir Zemajt, djalit të tij Enisit si dhe kryetarit të Forumit Rinor të LDK-së për Decan, Hasan Zemajt, nga individë të pandërgjegjshëm të kësaj partie sillen si të hutuar dhe atëherë kur vajton mbarë Kosova, ata ngrehin dolli…Vrasin apo i gëzohen vrasjes së shqiptarit të partisë tjetër ka pak rëndësi, sepse ata nuk e dinë se partia s’është kandar me të cilin matet atdhedashuria as vlerat në shoqëri, por janë të mencurit, të guximshmit dhe vizionarët ata të cilët armiqve ua verbojnë sytë. Ndaj kjo vrasje makabër nga njerëz që blihen e shiten dhe bëjnë tregti me jetëra njerëzish. Një goditje jo vetëm në familjet e  martirëve por në goditje në shpatullat e Kosovës. Sepse, ata që zbrazen pushkën mbi një hero të luftës e dashamir të paqes sic ishte Kolonel Zemaj, ata që shtinë mbi një shembull të dashurisë, mirësisë e guximit sic ishte Hasani dhe ata që këputën hovin një jete në lulen e rinisë-të Enisit, le ta dinë se kanë ngrehur dorë mbi Zotin dhe gryka e asaj pushke do t’iu kthehet nga po ata, në duart e të cilëve janë bërë lodër e verbër!

Në Kosovë krimi po lëshon rrënjë

Në Kosovë krimi po lëshon rrënjë e krerët tanë, në vend se të bashkohen për të crrënjosur farën e keqe, akuzohen mes vete pa dashur t’ia dinë se ne armikun e kemi brenda dhe kur dy njerëz grinden, i treti të vret. Ne gjarpërin e kemi ne gji! Po mos të harronim këtë do ta dinim se pikërisht kjo ndarje partishë na ka përcarë dhe armiqësuar deri në vëllavrasje. Po të mbaheshim fort për njëri-tjetrin, ne nuk do të kishim nevojë për reklama e blerje votash, sepse populli do ta dinte vetë rrugën e tij. Po të ishim më syqelë, ne shumë më shpejt do të arrinim qëllimin tonë dhe ballhapur para popullit që na besoi votën. Sepse, ky popull nuk është më i pa dije dhe i ngratë sa të vrapojë verbërisht pas krerëve si bagëtitë. Ai është ngopur me fjalë dhe di të kërkojë vepra! Do një të thënë e një të bërë e mbi të gjitha, një rrugë të qartë se është lodhur nga udhëkryqet. Një bashkim forcash që nuk ndjell ndarje e përçarje, por që do ta bashkojë popullin në një. Se, më parë se të jemi të një partie jemi të një gjaku!

Nën kulmet tona vaj pas vaji e kujë pas kuje…

Lufta e fundit në Kosovë do të duhej të na shërbente mësim për gjithë jetën. Llahtari që pamë me sytë tanë, mësim edhe për gjeneratat që do të vine duke na bindur se vëllai i fortë nuk do të thotë mbetje nën hijen e tij, por shtyllë ku mund të mbështetesh. Se, t’ia lëshosh rrugën atij që di më mirë s’do të thotë humbje për ty, por shpëtim për që të dy. Por jo! Neve lufta na dogji edhe zemrat, por jo krimbin e xhelozisë. Regjimi serb shguli me rrënjë cdo gjë që patëm mbi faqe t’dheut, por jo etjen dhe lakminë për pushtet. Se, ato ndjenja të shëmtuara janë rrënjosur thellë në ne dhe na janë bërë sëmundje të cilat fryma e lirë i shndërroi në epidemi që po helmojnë shoqërine. Edhe pas gati katër vjet lirie, nën kulmet tona vaj pas vaji e kuje pas kuje. E populli shikon me duar në bri tek i vriten bijtë në prita! Shikon e loton, me shpresat që po fiken cdo ditë e më shumë për një të nesërme të mbarë të Kosovës. Dhe hesht e lëngon mes dhëmbjes së të sotmes e nën ethet e së nesërmes, kur dora e armiqve të lindur apo të shitur po shuan mendjet e ndritura që do të duhej të na udhëhiqnin drejt pavarësisë, në vend se një të ardhme jo të largët një pushtes tjetër të vërë pushtetin mbi ne apo serish, armiku I përbetuar- Serbia. Sepse, ajo ka një betejë me një armik të hapur, ndërsa ne jemi gjetur në një udhëkryq të përgjakshëm e të rrethuar nga armiq që na shfaqen nga të gjitha anët me maska e krime të reja, por me shenjestrën e njëjtë: figurat më të shquara të kombit!

Zgjohuni shqiptar!

Ndaj, zgjohuni shqiptarë! Pesha e përcarjes suaj po bie mbi supet e atdheut. Përderisa nuk flasim në një gjuhë, Kosovën do t’a pllakosin netët ogurzeza…Bashkohuni! Përderisa nuk bëhemi grusht, mallkimi i Zotit do të qëndrojë mbi ne! Ai po na vie nëpërmjet mashës së zgjatur të armikut apo të koolaboracionistëve të tij, për fatkeqësinë dhe turpin tonë. Të bashkohemi dhe të ngritemi të gjithë në këmbë derisa të gjejmë, kush po tenton ta shemb Kosovën ende pa u rimëkëmbur mirë? Përse po na e vrasin lirinë, në themelet e së cilës bëmë fli bijtë dhe bijat më të mira të kombit? Deri kur do të na i shembin shtyllat, do të na i këpusin gjymtyrët?! Të gjithë të pyesim me një zë edhe miliona here: “KUSH?”, “PËRSE”, “DERI KUR?!!!”, derisa trupat e martirizuar të Kolonel Zemajt,  Hasanit dhe Enisit të ri të mbesin viktimat e fundit të krimit të organizuar në Kosovë!

BOTA SOT-OPINION,
Ajetë Sh. Beqiraj
5 janar 2003, Strellc.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You cannot copy content of this page