Pronat e Deçanit – E vërtetë historike apo vendime arbitrare të UNMIK-ut?

21 qershor 2008, Radio Kosova. Kryeadministratori i Kosovës, Joachim Ryker, me anë të një letre i ka bërë të ditur komunës së Deçanit se Vendimet Ekzekutive 2008/16 dhe 2008/21, me anë të të cilave kërkohet bartja e 24 hektarëve të pronës shoqërore mbi Manastirin e Deçanit, përfaqësojnë pozicionin legal të Autoritetit të UNMIK-ut, pa marrë parasysh nëse komuna pajtohet apo jo. Kryetari i komunës konfirmon marrjen e kësaj letre, por nuk do ta komentojë përmbajtjen e saj.

Menjëherë pas marrjes së Vendimeve Ekzekutive 2008/16 dhe 2008/21, kryeadministratori i Kosovës kërkon legalizimin e dhuratës së dhënë Manastirit të Deçanit nga Parlamenti i Serbisë në vitet ’90, duke dhënë pesë rekomandime, më kryesori ndër të cilat ishte që kryeadministratori Joachim Ryker të rishqyrtojë vendimet ekzekutive për t’u dhënë mundësi organeve të drejtësisë, qofshin ato vendore apo ndërkombëtare, që të bëjnë punën e tyre.

“Çfarëdo që të jetë epilogu, komuna dhe populli do ta pranojnë atë! Faktet tona nuk mund të mohohen. Por ka gjasa që ne të veprojmë para aktit të kryer!” – paralajmëroi shefi ekzekutiv i Kuvendit Komunal të Deçanit, Halil Tolaj, në seancën e 20 majit.

Nga burimet tona mësojmë se komuna e Deçanit, më 19 qershor 2008, ka marrë një letër nga kryeadministratori Ryker, në të cilën bëhet e ditur se pa marrë parasysh nëse Komuna fizikisht i ndryshon Shënimet Kadastrale ose jo, Vendimet Ekzekutive kanë fuqinë e ligjit dhe përfaqësojnë pozicionin legal të Autoritetit të UNMIK-ut në lidhje me Shënimet Kadastrale të komunës së Deçanit.

“Prona i është grabitur Manastirit në vitin 1946,” thonë përfaqësuesit e Manastirit të Deçanit. “Toka shoqërore i është dhuruar Manastirit në vitin 1997, sipas ligjeve të Serbisë së udhëhequr nga Sllobodan Millosheviç,” thonë zyrtarët komunalë të Deçanit. Kryetari i Komunës, Musa Berisha, konfirmoi marrjen e kësaj letre, por nuk deshi ta komentojë përmbajtjen e saj.

Rikujtojmë se në Vendimet Ekzekutive 2008/16 dhe 2008/21, nënshkruar nga kryeadministratori Joachim Ryker, kërkohet bartja mbi Manastirin e Deçanit e ngastrave të tokës të regjistruara në librat kadastralë të komunës së Deçanit, në pronësi shoqërore të Qendrës së Bletarisë “16 Nëntori”; ngastrave të tokës të regjistruara në pronësi të Ndërmarrjes Hoteliere Turistike “Decani”; si dhe ngastrave të regjistruara në emër të ndërmarrjes shoqërore “Ndërmarrja për Banesa Publike”.