“Zëri i Vëllazërisë Kosovë-Malësi”,nga Peja e Deçani në Prekaz

Zeri i vellazrise ne Isniq29 prill 2008, Radio Kosova. Ne manifestimin mbarekombtar “Zeri i Vellazerise Kosove-Malesi e madhe Martin Dreshaj” i mbështetur nga Ministria Kulturës, Rinise dhe Sportit si dhe komuna e  Pejës, ku morën pjesë ansamble te kengeve dhe valleve nga trojet mabreshqiptare. Manifestimi filloi ne Pejë, vazhdoi ne Decan dhe ne Isniq per t’u permbyllur ne Prekaz.

Larmia e këngëve, valleve dhe veshjeve të ansambleve të Hotit, Grudës, Plavës, Gucisë, Dacajve, Medvegjës, Burimit, Pejës, Klinës dhe Deçanit, të cilat prezantoheshin me kulturën e viseve prej nga vinin, përbënte një mozaik trashëgimie kulturore të ruajtur ndër shekuj. Sepse, thotë veprimtari i shquar Naim Prelvukaj, nga Martinaj i Plavës:

„Popujt që kanë një kulturë, ruajnë me fanatizëm vlerat trashëgimore të historisë së popullit të vet. Unë përgëzoj atë popull që e ruan kulturën e gjashtë shekujve të një simboli kombëtar, përkundër përpjekjeve që t´na i zhdukin gjurmët nga thesaret e kulturës e të historisë së të parëve tanë, që nga varret”-thote Prelvukaj.

Në vitin 1999, kur Kosova po zbrahej dhe po digjej, një pjesë e karvaneve shqiptare gjeti strehë edhe në shtëpitë bujare të Malësisë. Nëntë vjet pas, ata që i bashkoi mjerimi, tashmë kënga e vallja i ka mbledhur tok.

Mozaik i trashëgimisë kulturore shqiptare

“Në shenjë përkujtimi të të gjithë asaj, shoqata tubohet herë në Tuz, herë në Plavë e Guci, herë në Rozhajë. Ndërsa, kësaj radhe Isniqi ishte nikoqir” – thotë Vesel Nikci, valltar i ansamblit “Rugova”, nga Peja.

“Në Rrafshin e Dukagjinit u prezantuam me instrumentin më të vjetër shqiptar, kavallin. Pastaj, me fyllin e bariut, me qifteli dhe me sharki. Pamë njerëz të mrekullueshëm, mikpritës, bujar e punëtorë. Tri karakteristika që unë i çmoj shumë”, thotë profesor Regjep Abazi, kryesues i grupit muzikor “Shpëtimi”, nga Medvegja.

“Unë jam konë shumë herë në Isniq dhe ua kam lanë amanet bijave tona, gjithësecila me i ba ma s´pakti shtatë fëmijë. Me e rujt veshen, mbathjen, gjuhën, traditën, bukëdhnanjen dhe besën”, vëren Haxhi Rrahman Lajçi, nga treva e Rozhajës.

Ura miqësie Dukagjin-Malsi

Rrahman Jasharaj, zëdhënës i shoqatës së vëllazërisë “Kosovë-Malësi, Martin Dreshaj”, organizatore e këtij manifestimi, thotë se “një e veçantë e këtij manifestimi është se, sivjet edhe fshati Isniq lidhi urë miqësie me fshatrat e Malësisë”.

Ndërsa për isniqasit, shpalosja e trashëgimisë kulturore në këtë turne vëllazëror është një ditë e shënuar – thotë isniçasi Malë Balaj. “Këto vlera janë të mirëseardhura dhe duhet me i rujt patjetër. Dhe Isniqi ka një traditë në ruajtjen e këtyre vlerave”.

Ndërkohë, për Xhevatin, me banim në Zvicër, “është ndjenjë e veçantë të presësh vëllezërit nga trojet e tjera. Dhe, ngaqë kemi vuajtur edhe ne dikur, ata sot mua më vrasin në shpirt!”

Tradita e mikpritjes në odat e Isniqit u përsërit edhe sot, kur familjet e Shpend dhe Sokol Balajt hapën dyert për mysafirët me mikpritjen shqiptare: ”Bukë e kripë e zemër”. Ndërsa karvani i ansambleve vazhdoi rrugëtimin për në Prekaz, ku u shenua me gjak historia me e re e Kosoves.

Kjo përmbajtje është një punim origjinal dhe cdo riprodhim, shpërndarje, përkthim ose përdorim i këtij materiali—qoftë në tërësi apo pjesërisht—pa leje të shkruar paraprakisht nga autori është strikt i ndaluar, përveç citimeve të shkurtra me atribucion të duhur.
© 2006–2026 Ajetë Shaban Beqiraj. All Rights Reserved.