NATASHA LAKO: “Dënimi nga mendimi zyrtar na bëri më trima”

Natasha Lako-Poete dhe skenariste

 Zëri Ditor,2004. Natasha Lako-Drejtoreshë e Arkivit të Filmit në Tiranë është njëra ndër figurat më të shquara të kulturës shqiptare. Autore e dhjetëra librave në prozë dhe poezi si dhe skenariste e rreth 12 filmave që vulosën në ekran periudha të rëndësishme të historisë kombtare, si:”Plumba Perandorit”, “Fletë të bardha”etj. dhe filmi më i fundit premiera e të cilit u shfaq në Prishtinë,”Lule të kuqe-lule të zeza”, me të cilin film mori pjesë në Festivalin e Filmit në Nju-Jork,që po mbahet prej 10 deri me 21 nëntor.

Ajetë Beqiraj: Jeni ndër gratë më me emër të Shqipërisë. A e ndjeni kënaqësinë e punës suaj?

Natasha Lako: Unë e kam ndjerë këtë nga dashuria e të gjithëve dhe shumë herë e kam menduar “Përse lexuesit shqiptar e kanë dashur kaq shumë Natashën?” Mbase kjo sigurisht ka të bëjë me fatin e gruas shqiptare dhe me fisnikërinë e madhe të shqiptarëve që të kenë edhe zërin femëror. Dhe, kjo të jep një ndjenjë aq të bukur dhe poaq fisnike. Prandaj, pikërisht për këtë pritje që më është bërë që në fillim të krijimtarisë sime, unë besoj se nuk do t’i tradhtoj kurrë!

Ajetë Beqiraj: Poezia është art i fjalës dhe ju këtë art e zotëroni. Cfarë ju frymëzon më shumë?

Natasha Lako:  Poezia është art i fjalës dhe i magjisë së gjuhës. është si puna e hyrjes në një det të madh siç është gjuha shqipe.Këtu ka magjira të pafundme për të zbuluar në radhë të parë shpirtin e njeriut. Sepse, momenti mund të jetë shqetësim edhe i shekullit.

Ajetë Beqiraj: Përkrah poezisë ju merreni edhe me prozën. Cilën e ndjeni më afër?

Natasha Lako: Unë personalisht i shoh si një rrugë me dy degë ku caku është i njëjtë. Por, lexuesi prozën e do dhe e lexon më shumë. Prozën e dua shumë edhe unë e sidomos shkrimtarët, proza e të cilëve rrjedh nga poezia se më duken shumë afër vetes sime. Ne kemi një traditë në letërsinë shqipe, psh. Kadareja është njeriu që prozën edhe poezinë nuk e ka mbaruar asnjëherë, poashtu edhe Agolli. Ai autor i prozës që përdor inteligjencën poetike ka edhe shpejtësinë e mendimit. Por, sot sikur ka një keqkuptim në përgjithësi, ku duket se poezia nuk ka më peshë aq të madhe dhe poeti merret me një re të vogël edhe pse nganjëherë, pikërisht në këto imtësi ka gjëra sublime.

Ajetë Beqiraj: Kush ju mbështeti mw sw tepwrmi nw kirjimtarine tuaj?

Natasha Lako: Unë nuk e kam thënë ndonjëherë më parë. Por, ka më shumë se tre vjet që i thashë Lamtumirë nënës sime.Aty e kuptova se ajo ishte flijuar gjithë jetën për mua sepse, sa herë ajo vinte tek unë në etapa të caktuara, unë ndjehesha shumë e lehtësuar. Shumë vepra kam bërë pikërisht kur ajo ishte tek unë. Dhe, ndoshta edhe më ka frymëzuar!

Ajetë Beqiraj: Jeni bashkëshorte e aktorit dhe regjisorit Mevlan Shanaj.Por edhe seknariste e tij.Pak me shume lidhur me këtë bashkëpunim…

Natasha Lako: Me Mevlanin i kam realizuar disa skenar. Por, këtu dua të kthehem në retrospektivë. Filmi “Fletë të bardha” (maj 1990) i cili për kritikët ka qenë një nga filmat e parë shqiptar që flet për stemat e heroit. Por, u kritikuam sepse u quajt një film me deherorizim që në Shqipëri atëherë nuk pranohej kurrsesi. Prandaj edhe shqetësoi shume zyrtarët e kohës, nga reagimi i të cilëve ne e kemi ndjerë veten të dënuar. Mirepo, pikërisht ky dënim nga mendimi zyrtar na bëri shumë trima se puna jonë u pa dhe ne aty u pozicionuam. Që atëherë ne kemi qenë shume aktiv në lëvizjen demokratike të viteve ’90-të. Për mua ai është skenar i alter-egos sime,të cilin shkrimtar e interpreton Rikard Ljarja me shumë sukses. Filmi “Plumba perandorit” me Vasil Laqin, një hero shqiptar që bëri atentat ne Viktor Emanuelin-perandor i Italise dhe i Shqiperisë, në maj të ’41-shit. Pavarësisht se nuk vrau dot dhe e varen në litar,akti i tij është i jashtëzakonshëm para një makinerie të tërë shtypëse siq është ushtria. Dhe tash së fundi, filmi juaj “Lule të kuqe-lule të zeza”gjatë të cilit shpeshherë jam pyetur: “A e di njeri se me ç’mundim deri në sublimitet bëhen këta filma?!”

Ajetë Beqiraj:  Cfarë ishte në fokus të këtij filmi?

Natasha Lako: Ne jemi mësuar me shoqëri të mbyllura dhe duke hyrë në shoqëri të hapur ritmet tona janë aq kaotike, saqë ne e e kemi të domsodoshme që t’i ndalim përmes filmit. Këtu e pamë të nevojshme te fiksojmë këtë moment kur diçka që ishte ngrehur para kaq vitesh ka marrë një konfiguracion tjetër, sepse shume shqiptarë kane ikur dhe me dhjetëra fshatra po boshatisen. Dhe, në këtë lëvizje të re kundrejt këtij qendrimi statik sigurisht që ka edhe të papritura, edhe trauma. Rëndësi ka fakti se filmi është pritur jashtëzakonisht mirë, sidomos në Shqipëri. Se ne kemi lënë një dëshmi për popullin tonë. Le t’na lavdërojë, le t’na qortojë se ai është mbi të gjitha!

Ajetë Beqiraj: Ju e keni shijuar fjalën në libër dhe në film. Në cilen fushe ju duket më e bukur?

Natasha Lako: Filmi ka një magji tjetër. Unë fillimisht isha pak tip i mbyllur sepse isha vetëm me fletën. Ndërsa, kur shkoja nëpër grupet e filmit ndjeva një shpirt shoqëror. Filmi është një rrjet më vete shumë i bukur. Dhe, martesa me Mevlanin më ka zgjeruar shumë kontaktin e komunikimit. Por, filmi është një vepër kolektive dhe ose janë të tërë në faj ose janë të tërë në lavdi. Kurse në letërsi e ke shpallur pavaresinë  e ke ngritur flamurin. Në film është e mira se kemi një kontakt  direkt me spektatorin dhe ti e ndjen frymëmarrjen. Ndërsa, letërsia është shumë më e rehatshme, sepse fundja ulesh në një tavolinë me një fletë dhe një laps. Por, nëse unë shkruaj “Furtunë”, ata që bëjnë filmin e dinë sa do heqin ta bëjnë furtunën!

Ajetë Beqiraj: Udhëtoni shpesh për Kosovë. Disa përshtypje nga atje!

Natasha Lako: Ishte në maj të vitit 1973,ku kam pritur një nga ditëlindjet më të bukura,25 vjetorin.Atë kohë Kryetar i Shoqatës së Shkrimtareve ishte miku ynë dhe i të gjithëve, poeti Azem Shkreli i cili na priti bashkë vëllezërit e penës. Por, ndër rastësitë më të bukura të jetës sime ishte ndodhja ime në Kosovë pikërisht me 28 nëntor, kur erdhi monumenti i Skënderbeut. Binte një borë e bukur. Të gjithë njerëzit, të ri e të vjetër kishin dalë në rrugë. Të gjitha fytyra të buzëqeshura. Unë nuk jam ndonjë nacionaliste fanatike, por atë dite kam thënë se shqiptarët janë njerëzit më të bukur të botës. Për “gocat dhe çikat” tona e dimë se i kemi të bukura. Por, atë dite djemtë shqiptar kanë qënë jashtëzakonisht të bukur!

Ajetë Beqiraj: Kur jemi te këto “çika dhe djem të bukur”, ç’mendim keni për ata që i janë futur fushës së krijimtarisë?

Natasha Lako: Ne njohim penat e moshës sonë. Por, kur vjen puna për letersinë e të rinjve ajo mbetet shumë pak e njohur. Unë mendoj se përgjegjësinë më të madhe e ka shtypi dhe kritika. Mediat duhet të bëjnë shumë më tepër në njohjen e shkrimtarëve të sotëm. Se, nëqoftëse të injoron media atëherë është fatkeqësi. Fundja, janë disa ligje që kthehen ne rregullator.Dhe unë mendoj që ligjet shqiptare duhet t’i rregullojnë këto televizone me vendimmarrje që të mbështesin shumë me tepër kulturën. Sepse, po të duan ata të bëjnë disa ligje të caktuara për media, jo me imponim por për të mbështetur kulturën shqiptare, mund t’ia dalim më mirë. Mos të harrojmë se edhe biblioteka është shumë frytdhënëse për përdorimin e librit. Nuk duhet të kufizohemi vetëm në ngjarjet e mëdha kulturore siç janë panairet, se fundja ajo ka kaluar në komerciale dhe ka qëllimin vetëm të shitet libri. E them me gjithë shpirt, se ne kemi kollosë të mëdhenj. Madhështia e tyre është vulosur, ajo dihet!  Por, ne nuk duhet të mbetemi në disa emra. Se, sado i madh të jetë shkrimtari i të djeshmes duhet të kesh edhe frymemarjen e ditës.

Ajetë Beqiraj: Dicka për angazhimet tuaja të fundit?

Natasha Lako: Unë kam edhe skenar të tjerë për të cilët nuk mund të përgjigjem. Në fund të fundit kam një arme ne dore,se une e kthej ne roman. Mirepo, me kryesorja e këtij viti është se kam një libër me ese që do dalë këto ditë. Kam edhe përmbledhjen e poezise sime të zgjedhur, sepse sic thashë per filmin dhe për ndërrimet e brezave, ne duhet ta dimë se pavarësisht sa të njohur jemi, fëmijët tanë kanë nevojë të njohin letërsinë dhe atëherë të ketë ribotime. Kam edhe shumë projekte të tjera për të cilat nuk dua të flas tash, sepse janë vepra kolektive dhe nuk dihet si do të bëhet?

Botuar te Zëri ditor, me 20 nëntor 2004

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You cannot copy content of this page