7 gusht 2020, Dojçe Velle. Një marrëveshje ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe EULEX-it për shkëmbimin e informatave të inteligjencës, pritet të zvogëlojë krimin e organizuar në Kosovë. Marrëveshja teknike pritet t´i kontribuojë parandalimit, zbulimit dhe zvogëlimit të kriminalitetit në Kosovë, duke lehtësuar për shkëmbimin e informatave të inteligjencës ndërmjet Policise së Kosovës dhe Policisë së EULEX-it dhe reduktimin e krimit të organizuar brënda Rëpublikës së Kosovës.
Krimi i organizuar është një dukuri shqetësuese dhe mjaft prezente në Republikën e Kosovës, e cila më tepër është i shprehur në trafikimin e narkotikëve, në kontrabandën me migrantë, në trafikimin me qënie njerëzore, krime ekonomike dhe korrupsion. Ndersa, Divizioni Kundër Krimit të Organizuar në kuadër të Policisë së Kosovës, bazuar në misionin dhe mandatin e vet po ndërmerr veprime operative-hetimore për parandalimin dhe luftimin e këtyre formave të krimit të organizuar, bëjnë të ditur burimet nga zyra për informim i Ministrise së Punëve të Brendshme të Kosovës. Sipas kësaj zyre: “Rezultatet e luftimit të këtyre llojeve të krimeve në vitet e fundit kanë shënuar rritje falë organizimit dhe centralizimit të njësive policore, me hyrjen në fuqi të Kodit të ri Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, si dhe të organizimit dhe strukturimit të prokurorive. Ndërsa, veprimet operativo-hetimore të policisë janë në përputhje me obligimet që dalin nga strategjia nacionale për luftimin e krimit të organizuar, strategjia nacionale për luftimin e drogave dhe strategjia nacionale për luftimin e trafikimit me qënie njerëzore”.
Atje ku nuk sundon ligji krimi i organizuar lulëzon
Partnerët institucionalë në Kosovë kanë një vullnet të fortë për të luftuar krimin e organizuar, ndërsa është detyrë e EULEX-it për t´i këshilluar dhe mbështetur ato në këtë luftë, thotë për DW-në Anne Blanksma, shef i zyrës për informim të EULEX-it, sipas të cilit, “krimet e rënda dhe krimi i organizuar lulëzon aty ku sundimi i fortë i ligjit nuk është i zhvilluar ende. Dhe kështu, përpjekjet tona së bashku me partnerët kosovarë janë të fokusuara në themelimin e institucioneve të forta të sundimit të ligjit të cilat janë të afta për të parë kërcënimin që vjen nga krimi i organizuar”.
Me qëllim të parandalimit, zbulimit dhe zvogëlimit të kriminalitetit në Kosovë, ditë më parë, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës dhe EULEX-i kanë arritur një marrëveshje teknike për shkëmbimin e informatave të inteligjencës. Një marrëveshje kjo e cila përcakton modalitetet për shkëmbimin e sigurtë dhe sistematik të informacionit si dhe një demonstrim i besimit që kemi ndërtuar me partnerët tanë”, thote Blanksma, sipas të cilit, “sistemi i mirë i menaxhimit të informacionit është bazë e inteligjencës policore, e cila është e nevojshme për të luftuar krimet e rënda dhe krimin e organizuar”.
Shkëmbim informatash inteligjente edhe për krimet e luftës
Në javët e fundit u bënë arrestime të disa serbëve për dhunime gjatë luftës dhe për krim të organizuar në veri. Nëse këto arrestime janë rezultat i kësaj marrëveshjeje, EULEX-i nuk deshi t´i komentojë. Nga MPB thonë se këto arrestime nuk janë rezultat i saj, por se:“Marrëveshja me EULEX-in do të mundësojë shkëmbim të sigurtë, të besueshëm dhe efikas të informatave në mes të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it në lidhje me krimet e luftës, hetimi i të cilave është përgjegjësi e departamentit ekzekutiv të EULEX-it për hetimin e krimeve. Gjithashtu do të shkëmbehet çfarëdo informate që ka të bëjë me hetime të përbashkëta të rasteve në mes të Policisë së Kosovës dhe asaj të EULEX-it”.
Marrëveshja teknike Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe EULEX-it pritet t´i kontribuojë parandalimit, zbulimit dhe zvogëlimit të kriminalitetit në Kosovë, duke lehtësuar për shkëmbimin e informatave të inteligjencës ndërmjet Policise së Kosovës dhe Policisë së EULEX-it dhe reduktimin e krimit të organizuar brënda Republikës së Kosovës.