Qytetarët në një vjetorin e shtetësisë së Kosovës

17 shkurt 2019, Dojçe Velle. Një vit pas pavarësisë Kosova përballet me ekonomi të pazhvilluar, shkallë të lartë të papunësisë, varfëri ekstreme dhe korrupsion. Si rrjedhojë, përvjetorin e pavarësisë populli i Kosovës e pret me ndjenja të përziera.


Me 17 shkurt 2008-të, bota ishte fokusuar tek Kosova e cila pushonte besimplotë se që nga kjo ditë do të radhitej ndër shtetet e pavarura. Populli shqiptar e priste me padurim shpalljen e pavarësisë, e të gjithë kishin përgjigje të njëzëshme: \”Mezi kemi prit me e pa ditën e sodit, e moti jemi duke e prit…Prej 1912-tës e deri në ditë të sodit, vuajtje e kiamet. E sot, s´ka ditë ma t´madhe për popullin shqiptar!“

Për dallim, tek serbët e Kosovës, akti i shpalljes së pavaresise ngjalli pasiguri e skepticizëm. Vesna Spaleviç është ndër serbët e rrallë, e cila dhjetë ditë para shpalljes së pavarësisë, u kthye në Deçan me shpresën për një të ardhme në shtetin e Kosovës. \”Unë jam kthyer në Deçan më 28 janar 2008. Që don të thotë, rreth 20 ditë para shpalljes së pavaresisë së Kosovës\”-thotë Vesna Spaleviç.

Por, sa i ka realizuar shpresat e qytetarëve pavarësimi i Kosovës dhe a ka ndryshuar diçka në standardin e jetës së tyre, një vit pas bërjes së Kosoves shtet?

Varfëri për qytetarët-Luks për pushtetarët…

\”Send mbi këtë tokë! Shit dru vjet-shit sivjet. Erdh shpirti te hunda, pa punë, pa punë…E me hangër po duhet përditë!\”-thotë Mustafë Hyseni 55 vjeç, nga Bardhaniqi i Gjakovës, të cilin edhe sivjet e gjejmë me një karrocë me dru buzë rrugës, për shitjen e të cilit i duhet të pres me javë.

\”Si mos më keq! Nuk kam ujë as s´kam asgjë. Mos pyet fare! Megjithëse fqinjët shqiptarë janë të mirë me mua dhe vinë e më vizitojnë, pavarësia e Kosovës në jetën time nuk ka ndryshuar asgjë\”-përgjigjet 80-të vjeçarja, Velika Sharkoviç, nga Bellopoja e Pejës.

\”Kosovën shtet e kam paramendue krejt ndryshe, me vende të reja pune, pa përçarje të politikanëve. E kta, ai për veti-e ky për veti, e në fund po heq populli. Nxe karriket e mbushi xhepat për vete, e për popullin asgjë!”-thotë Milaim Hulaj, kamarier.

Më shumë vendpunime për zbutjen e varfërisë

\”Në standardin e jetës sime s´ka ndryshuar asgjë. Përkundrazi, ndoshta është edhe në rënie për shkak të gjendjes ekonomike – thotë Rasim Tolaj, nga Deçani-Strukturat udhëheqëse do t´duhej të krijonin më shumë vende pune, kur kemi parasysh një rini, e cila çdo vit diplomohet apo specializohet në profile të ndryshme e në fund mbesin pa punë!”

\”Në familjen tonë nuk ka ndryshuar shumë, përveç ngritjes së pagave të nivelit të arsimit. Por, sot kemi institucionet tona legale, kam pasaportë dhe letërnjoftim të shtetit tim dhe kjo më bën të lumtur dhe krenar!” – thotë Betim Qorraj, arsimtar, i cili Kosovën e pavarur e sheh nga një këndvështrim tjetër.

Një vit pas kthimit, Vesna Spaleviç, mendon se në Kosovën e pavarur ka të ardhme për secilin. \”Përderisa të ketë punë, kudo mund të ketë të ardhme. Unë u ktheva para një viti, në Deçan – thotë Vesna. Në qershor fillova punën në Zyrën Komunale për Komunitete, ndërsa në dhjetor arrita të sjell në Deçan një projekt prej 40 milionë eurosh për ndërtimin e një impianti për riciklimin e mbeturinave, të cilin do ta zbatojmë së bashku me komunitetin e këtushëm dhe me autoritetet kosovare.\”

Qytetarët duan të japin gjithëmonë për shtetndërtim

\”Edhe ne duhet të japim në vazhdimësi për shtetin e Kosovës – mendon arsimtari, Sadik Mazrekaj, nga Dranoci. Asnjëherë s´duhet thënë: ”Bëra mjaft e tash do t´ndalem të pushoj!” Edhe qeveria, edhe strukturat e tjera politike nuk do duhej të ndalen me kaq, sepse sot kemi shifra katastrofike të varfërisë së skajshme. Kemi një numër të madh të papunësisë. Një moshë relativisht të re. Rreth 30 mijë krahë pune dalin në vit tek kosovarët. Pritet që politika të bëjë edhe shumë në uljen e varfërisë. Se, sado që një pjesë e popullit të ketë, kur nuk kanë të gjithë, qeveria nuk duhet me qenë të knaqun\”.

Krahas sukseseve, Kosova edhe një vit pas bërjes shtet përballet me ekonomi të pazhvilluar, papunësi të madhe, varfëri ekstreme dhe korrupsion, sot ajo shkëlqen në frymën festive të përvjetorit të pavarësimit të saj.

Ajetë Sh. Beqiraj

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You cannot copy content of this page