“Rrugëtimi i gjatë për paqe”

Fatos Lajci

9 dhjetor 2005, Dojçe Vele. Këtë javë në kinemanë ABC në Prishtinë u shfaq premiera e filmit dokumentar “Rrugëtimi i gjatë për paqe” në regji të Fatos Lajçit. Dokumentari i mbështetur nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve dhe Zyra e Vullnetarëve të Kombeve të Bashkuara, në Prishtinë, është promovues i idesë së krijimit të Parkut ndërkufitar të Paqes në Ballkan, mes vendeve fqinje, Kosovës, Malit të Zi e Shqipërisë.

Projekti ballkanik për “Parkun e Paqes” ka për qëllim mbrojtjen e mjedisit, stimulimin e punësimit lokal, ndërtimin e turizmit të qëndrueshëm në rajon e mbi të gjitha, krijimin e kushteve për banim për popullatën lokale në zona të larta malore. Ai është i fokusuar në krijimin e tri ‘Parqeve të ndara nacionale’ në fqinjësi me njëra më tjetrën që kapin Bjeshkët e Nemuna – Kosovë; Theth -Valbonë- Shqipëri dhe Prokletije – Mali i Zi. Majën më të lartë e përbën Jezerca në Shqipëri me lartesi 2693 m., Gjeravica ne Kosove me lartesi 2656 m. si dhe Kolates ne kufirin e Malit te Zi ,me 2555 metra lartesi mbidetare.

“Shtigjet e ecjes hapin kufijte”

Shtigjet e ecjes qe hapin kufij

Në kuadër të këtij projekti që nga viti 2001 zhvillohet edhe “Rrugëtimi i Gjatë për Paqen”, organizuar nga Grupi Vullnetar për Ruajtjen e Ambientit,(ERA)”Environmentally Responsible Action Group” si dhe Istituti Ballkanik për Kërkim dhe Zhvillim (BIRD)Balkan, “Institute for Research and Development”.

Në këtë rrugëtim zë fill edhe ideja për realizimin e dokumentarit “Rrugëtimi i gjatë për paqe”, i regjisorit Fatos Lajçi, sepse: “Unë  kaloj një kohë të gjatë nëpër bjeshkët e Kosovës, Malit të Zi dhe të Shqipërisë. Kjo është pjesë e pasionit tim. Dhe në vitin 2001, pasi që kuptova se bëhet fjalë që territori malor i Kosovës Malit të Zi dhe Shqipërisë të shndërrohet në një zonë të lirë të lëvizjes, atëherë edhe e përqafova këtë projekt”,thotë Fatos Lajçi, regjisor i këtij dokumentari.

Siguria ne Ballkan te mos konsistojë me kufij te mbyllur

Në projektin “Rrugëtimi i gjatë për paqe” çdo vit marrin pjesë rinia e Ballkanit, organizatorët, komunitetet lokale si dhe vëzhguesit ndërkombëtar, për të promovuar kështu lëvizjen e lirë, shkëmbimet kulturore dhe zhvillimet e qëndrueshme në rajonin kufitar në mes të të tria vendeve. Ndërsa filmi dokumentar i shfaqur të hënën, si një vëzhgues i vlerave të përbashkëta natyrore, kulturore dhe i trashëgimisë historike, me një gjuhë më vete dhe me një pasqyrë të qartë realiteti shfaqi dëshirën për jetë në paqe si dhe afrimin miqesor të vizitorëve me këto treva mikpritëse malore.

Rreqebulli, specje ne zhdukje(F.Lajci)

“Dokumentari thërret që siguria në rajon të mos konsistoj në kufij të mbyllur dhe ndarje të vazhdueshme të popujve nga njëri-tjetri, por në një bashkëpunim me projekte të merituara dhe të suksesshme në interesin më të mire për secilin”, thotë regjisori Lajçi.

Lufta e Kosoves la pas vetes zona te depopulluara

Gjatë periudhës së luftës së vitit ’99, pasoi një valë e madhe e shpopullzimit të këtij rajoni. Shpyllëzimi i pyjeve të Kosovës vazhdon edhe më tej si pasojë e korrupsionit, përderisa gjuetia e egër po ndikon në mënyre drastike në zhdukjen e disa llojeve të kafshëve të cilat jetojnë në këto zona.

Edhe në Shqipëri, sidomos prej krizës ekonomike të vitit 1997, popullata ka filluar largimin masiv nga zonat e larta malore. Disa lëvizje në ndërtimin e infrastruktures rrugore janë më shpresëdhënëse për lehtësimin e jetës në këtë rajon. Ndërkohë që në Malin e Zi, situata është më e mirë ngaqë rajoni është i dendur me popullsi dhe i pasur me vlera të ndryshme kulturore. Ndërsa, sipas z.Lajçi: “Dokumentari me karakterin e tij vjen shumë më afër secilit individ, organizatë dhe qeveri e kombësi. Është diçka humane, njerëzore e zhveshur prej komplekseve politike”.

Dokumentari “Rrugëtimi i gjatë për paqe” synon senzibilizimin e opinionit të këtyre trevave për përkrahjen e kësaj ideje, me qëllim që të afrojë njerëzit, të ruaj trevat dhe të krijojë kushte për jetesë. Pas premierës në Prishtinë, së shpejti pritet të shfaqet edhe në Tiranë dhe në Podgoricë.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You cannot copy content of this page