Dojce Vele, 16 prill 2012. Pas sulmit terrorist mbi nje familje shqiptare në veri të Mitrovicës, me c´rast mbet i vdekur kryefamiljari dhe u plagosën tre fëmijët e tij, gjëndja e sigurisë mbetet e brishtë. Por, edhepse ky akt është përcjellur me largimin e përkohshëm të disa familjeve shqiptare, shpërngulja është gjëja e fundit që mendojnë shqiptarët e mbetur në veri.
Dite e vranët në Mitrovicë, e përcjellur me një shi të qetë. Madje edhe lumi Iber tundet pa zhurmë në shtratin shekullor, i cili përditë ravijëzon ndarjen e Kosovës në jug e veri. Në të djathtë të lumit, jugu i qytetit vlon në gjallërinë e jetës. Në të majtën e tij, veriu i qytetit zhytur në heshtje varri…Vdekjeje të dhunshme, shënjester e te cilave ishte një familje shtatëanëtarëshe e cila megjithëse u minua për t´u shfarosur, u vra kryefamiljari dhe u plagosën tre nga të pesë fëmijet e tij. E në këtë prag para 13-të vitesh ishte vrarë edhe babai i viktimës, kujton Shasivar Begu, përfaqësues i shqiptarëve të Tre Rrokaqijejve si dhe i Lagjes përbri.
„Na siguri nuk kemi ndjerë këtu kurrë-thoteBegu. Edhe Selver Haradinaj I ndjerë, dy-tri ditë para se me ndodh ky terror ndaj tij tha se megjithëse ka dyer e dritare te blinduara me ndihmën e komunës, nuk ka ndjerë siguri. Ata i vunë eksploziv ta shuajne me familje, pse deshi fati e shpëtuan fëmijët! Me shkrepje armësh e bomba dore pothuaj u patëm mësuar, mirëpo pas këtij rasti popullata nuk ndjehet e sigurt aspak. Ne nuk kemi problem me fqinjtë e vjetër serb, të cilët s´na kanë sulmu as nuk na kanë fyer. Problem na bajnë grupet ektremiste që nuk banojnë te ne, por vinë e bajnë incidentet dhe ikin në brendi të Kosovës, kah Zvecani, Kraleva e anej, n´Serbi. Ne po ndjehemi të tradhtuar edhe nga KFOR-i dhe EULEKS-i që na kanë lënë pas dore. Ndërsa, brënda Policisë së Kosovës ka pjesëtarë serb të cilët jo rrallë i shohim që komunikojnë me pjesëtarë të MUP-it serb(Ministria e Punëve të Brendshme“.
Komuna e Mitrovicës:Problem perbejne grupet ekstremiste
Për pasojë, tensionet në veri janë rritur dukshëm, thotë Ahmet Jashari, zëdhënës i komunës së Mitrovicës, sipas te cilit komuna as banoret nuk kane asgje kunder popullates serbe.
“Ne kemi telashe me shtetin e serb struktuat e të cilit veprojnë në veri të Kosovës. Situata e sigurisë aktualisht është shumë e tensionuar dhe ajo që kërkohet nga ne dhe qytetarët është që strukturat e sigurise, konkretisht KFOR-i dhe EULEKS-i qe janë përgjegjës për këë pjesë, të shtojnë praninë në lagjet me popullatë të përzier. Ne jemi pranë banorëve në cdo kohë që bashkarisht të tejkalojmë këtë situatë të rënduar. Ndërsa, banorët kanë kërkuar që në këto lagje të vendosen kamera për vëzhgimin e situatës, për cfarë jemi pajtuar edhe ne si formë parandalimi. Sidoqoftë, ne jemi pranë qytetarëve dhe jemi shumë të inkurajuar me vendosmërinë të qëndrojnë në shtëpitë e tyre. Një vendosmëri të tillë e ka shpreh edhe familja e të ndjerit Selver Haradinaj“, tha për DË-në, z.Jashari.
Në veri nuk dihet cfarë mund të sjell nata
Jeta në veri të Mitrovicës është e vështirë për shqiptarët e cdo moshe, madje edhe për 70 vjecarin Asllan Haliti, shtëpinë e të cilit e ndan vetëm rruga nga Lumi Ibër.
“Se, n´Beograd n´fitoftë Zvezda, ata vinë e kremtojnë këtu e dy tri herë m´I kanë thy xhamat e shpisë. Por, ckado me ndodh unë një herë përnjiherë këtu dhe nuk e kam mëndejn me u largu prej shpisë time”-thote Haliti.
Asllan Haliti : “Nuk e lshoj shpine time…!”
Por, më e vështira është jeta për të rinjtë, koha e të cilëve mbytet në heshjten e ditës e qetësine gllabëruese të natës e cila fillon më heret se cdokund dhe asnjëherë nuk dihet cfare sjell? Prandaj, ata thonë se kalojnë netë të tëra zgjuar në mbrojtje të pragut të shpisë.
„Merzi gjithë kohën.Mirë asnjë!Kohën e kalojmë në roje, se kot thonë kemi sjell përforcime të forcave të sigurisë. Na ka ardhë shpirti ndër dhëmbë me deklarata gjithfare kur na s´kemi kurggja hic, se një grup serbësh me ardhë para nesh ikin policia. Ta thashë seriozisht s
e rujamë 24 orë. As punojmë as kurrgja hic vec tuj iu përkushtu këtij vendi…”.
Sot, edhepse dite pune, nuk qarkullon as autobusi i i linjës së rregullt për në Kodrën e Minatorëve; lagja me sigurinë më të brishtë në veriun e Mitrovicës në të cilën s´mund të shkohet ndryshe vecse me autobus apo me TAXI, për të mos iu ekspozuar rreziqeve nëpër pjesët e banuara me serb. Të njëjtën do ta bëj sot edhe L.H. nga kjo lagje, I cili është në marrëdhënie pune në jug të qytetit.
“Shumë problem me ardhë në punë. Madje edhe djalin po duhet ta sjell me TAXI në shkollë se nuk I përputhet orari me autobusin, e në këmbë si ta lëshoj kur siguria është në nivelin minimal. Policia rrinë në polygon, dhe nuk dalin fare të shohin përreth në vend as te njerëzit. Siguria duhet të jetë në nivel më të lartë, përndryshe asgjë ”-thote i riu LH.
Besimi në institucionet vendore dhe ndërkombtare, i zbehtë
Në Lagjen e Boshnjakëve në veri të shtunën u rrah një tjetër I ri shqiptar. Dhe, ky nuk është rasti i parë as i fundit si pasojë e situatës së krijuar tash 13 vjet, sepse shqiptarët e veriut nuk shijuan ende lirinë e Kosovës. Ata flene dhe zgjohen me frikën se cfarë do të sjell e nesërmja, sepse politika e kujtodoqoftë dikton ashtu ndërsa ata krejt të pafuqishëm të ndryshojnë realitetin që I rrethon. Prandaj, besimi në institucionet vendore dhe ndërkombtare po zbehet gjithnjë e më shumë:
„Vallahi…Aty asht pak vshtirë me iu dhanë përgjegje se nuk vendosin vec institucionet tona por edhe të tjerët…“, thotë B.T. 48 vjecar.
“Sa kemi mujt me qendru n´forcat tona, na kemi qëndru. Mirëpo tash sa kemi besim sin a vinë në ndihmë institucionet tona?Këtu asht
dilemma…!”, thotë përfaqësuesi Begu.
„Na nuk dimë me rujt. Ruajmë në një vend e të vinë prej anës tjetër e ta hedhin granatën a ekplozivin n´dritare, si atë natë Selveritpas mesante. Sigurinë mund e ban vec policia e shteti”, shton R.S.,59 vjec.
Konflikt ngrire
Gjatë dekadës së fundit pati shpërngulje masive të shqiptarëve dhe vendosje të familjeve serbe në apartamentet e blera nga qeveria e Serbisës, me c´rast ndryshoi edhe struktura nacionale e banorëve të veriut. Mirëpo, përkundër presioneve të vazhdueshme, vendosmëria e banorëve shqiptarë për të qëndruar në vatrat e veta, është e palëkundur.
“Jam vendas,mitrovicali. Ktu kam lind edhe ktu n´qofte kismet kam edhe me vdek. Qe besa ka pas sulme e rrahje e pasiguri. Por,edhepse me këtë të fundit njerëzit janë edhe ma të pasigurt, largime të përkohshme kemi por jo shpërngulje, se ata që iu i keni parë duke u largu ne i kemi parë duke u kthy.Pra,vajtje-ardhje po por jo shpërngulje ma kurrë!“, thotë ky 48 vjecar, i cili po kthehet nga qyteti me një shishe qumësht.
„Sa t´kemi fuqi e t´jemi gjallë këtu do të mbesim, se s´kemi ku shkojmë. Mitrovica është toka jonë, vendi ynë, atdheu ynë. Na n´tokë as n´shpi t´huaj s´jemi,as jemi tuj sulmu kend s´jemi. Jemi tuj qëndru e tuj jetu n´sshpiat tona. Na jena msu kshtu qe 13-të vjet. Te na ´ka përfunu lufta kurrë! A e gjujtën fqinjin me na vra me krejt familje?Njeriu as shtazën s´e vert n´gjumë!”, shton ky 59 vjecar, teksa qendron mbështetur në hekurat e rrugicës së rrëpirët e cila con tek lagja e tij Tre Rrokaqiejt.
“Me këtë hënë: Kufiri Kosovë-Serbi në Lumin Ibër!”
Meqënse durimi 13-të vjecar në rrethana të njëjta nuk solli rezultate, vetorganizimi i shqiptarëve të veriut për vetmbrojtje do duhej t´ishte alarm për institucionet vendore dhe ndërkombtare për zgjidhjen sa më të shpejt të problemit të veriut. Sepse, durimi i secilit ka një fund thonë shqiptarët e veriut.
“Le ta kthejnë kokën kah veriu, se me këtë hënë: Kufiri Kosovë-Serbi në Lumin Ibër!”