Ese e vogël-Visar Zhiti:
Të kërkosh të rrëfesh dhembjen tënde, gëzimet e tua, fatin vetë në tempullin e poezisë është një besim i vërtetë dhe sinqeritet ndaj njerëzve përtej tempullit. Poezia kështu shndërrohet në një forcë hyjnore ku vetmija jote copëzohet nëpër të gjithë si kristale drite dhe prej andej të rikthehen vezullime ndjenjash e persiatje nga më të bukurat.Emocione të tilla po ndillja,teksa po lexoja poezitë e reja të Ajetë Sh. Beqirajt,poete kosovare.
Duket sikur s\’ka rëndësi se ku jeton poeti, por unë do të këmbëngulja se ka rëndësi për poezinë.Kosova është truall i poezisë dhe me të drejtë Poeti i Detit Tonë i quan kuajt e Kosovës si vëllezër të Pegasit.
Kuajt e Kosovës janë koha dhe kënga të ngarkuara me ëndrrat dhe mundin, ndërsa shtegtojnë karvan drejt ardhmërisë që lëkundet si një pllajë ku po mugëllon drita.
Poetja Ajetë Sh.Beqiraj është një nga kalorëset e bukura, e kapur pas jeleve gjithë hënë të vargjeve dhe trokon, trokon dhe pelerinën ja përhap era nën yje mbi barin plot vesë,lotë dhe përshkënditje gjaku.Me vete ka marrë si pajime brengat për të mbërritur atje ku pret fëmijëria ose sinqeriteti që megjithëse shpesh i mashtruar dhe i zhgënjyer, është njerëzor dhe si i tillë, duhet pranuar, edhe duhet dashur.
Duhet të mësohemi të duam edhe humbjet tona,që ndonjëherë na bëjnë më të pasur.Për të më besuar,mund të lexoni poezite e A-Jete-s, që pranon të tretet në natën e të gjithëve për të qenë pjesë e dashurisë së të gjithëve. Dhe kështu poezia arrin të bëhet lumturi në muzg,në cilindo lloj muzgu. Kurse zemra e kalit me flatra qenka varkë mbi dallgët e ndjenjave që u ngjajnë vargjeve…që do të lexoni.
VISAR ZHITI
Muri i shenjt
Kur fati dikur na pat buzëqeshur
Me thonjtw e duarve qendisa diellin
Mes botërave që ndanin oqeanet
Shtriva krahët t\’u bëra urë,
Me gërsheta gardh kurore thura
Rriskun e jetës gurw kalaje bëra
Në themele palosa ëndërrat
Foshnjen tonë flijova në mur.
Kur të hapen portat e rruzullimit
Vetëm një dritë botën praron
Gjurmët e mëkateve ndaj shpirtit tim
Do t\’i shohësh n\’Librin e Shenjtë,
Do të rrëfehet Syri i Drejtësisë
Që gjithë jetën me mua ka qarë
Në ballë mallkimin do të t\’vulos
Zoti i Madh që vran e kthjell.
Vajtim ne nate
Xixëllonja qe vini
Bashkë me pranverën
Ua kam lakmi dritën në natë,
Do të doja edhe unë
Të kem një fanar
T\’më bëj dritë njëherë
Në këtë rrugë të gjatë .
Ju flutura të bukura
Që hareshëm sjellni verën
Ndaloni njëherë
Edhe në kopshtin tim,
Fluturoni përreth
Trëndafiles së vyshkur
Ndoshta do t\’ngreh kokën
Në ju do t\’gjej shpëtim.
Qyqe moj e zeza
Netwve kur të fluturosh
Në dritaren time
Ndalo njëherë shtegtimin,
Nën llambën e ndezur
Do t\’më shohësh Qyqe
Tek vajtoj si ti
E vetmuar mjerimin.
Njëditëzaj
Ahu i zemrës sime
Do t\’i mbërthej gjymtyrët
Bryma e acarit orëzi
Do të t\’a ngrij shikimin
Nën blozë mbuluar
Do të kujtosh
Brishtësinë e trupit tim
T\’burgosur në vetmi
Do të kërkosh faljen e Atij
Që nën hijen i blirit
I dergjen eshtrat ndër mote…
Autore: Ajetë Beqiraj
Botoi dhe shtypi: \”VATRA\”, Shkup, me 2002
Redaktor: Visar ZHITI
Recenzent: Ali PODRIMJA
Poezi & Ilustrime: Ajetë Sh. BEQIRAJ
Botues: Halil ZENDELI
Download PDF: Tretur në natë