Intervista e parë për publikun me gazetaren Valdete Antoni, në emisionin “Udhëtim për tek vetja…”. Radio Tirana ,Maj 2004.
Valdete Antoni: …Një vajzë e vogël që quhet Ajetë, ecën nëpër rrugën e fshatit ku ka lindur. Herë-herë rruga e detyron që të ecën drejt, herë-herë rrëzohet sepse pengohet në gurë. Mirëpo, kupton që hollësia dhe brishtësia e trupit të saj, është në kërkim të një fuqie që e lidh me tokën, me atë çka ndjen, me zërat e atyre që janë lindur, janë rritur dhe me ato këngëtime, që duket se burojnë së thelli. Por askush s’e di se ajo ikën…Herë-herë ka frikë nga hija e vet, nga zhurmat, nga vetëtimat, nga shushuritja e pemëve, megjithatë vrapon e vrapon…
Ky është një përfytyrim që më është ngjallur duke përshkuar rreshtat dhe fjalët e tua, përmes rrëfimeve të dy librave në prozë dhe dy vëllimeve me poezi. Janë kthjelluar mjaft situata të jetës që kalon një vajzë me një shpirt të pastër, pavarësisht që ngjarjet më pas janë pengime të mëdha të jetës. Janë dëshmi të një shpirti delikat dhe të ngjarjeve mjaft të trishtueshme. Një besnikëri e pafund! Një besnikëri tejet e fuqishme dhe cuditërisht, e ruajtur për vite me radhë. Duke iu lexuar aty, unë kam dëshirë që në këtë udhëtim për tek vetja ta ndjejnë portretin tuaj edhe dëgjuesit tanë sonte.
Ajetë Sh. Beqiraj: Po, Valdete, unë po iu shpie nëpër jetën time. Vi nga një fshat I vogël I Kosovës. Strellc I Poshtëm quhet, të cilin e dua shumë! Një fshat shpirtmadh, me një traditë të vjetër, me një traditë të pasur e sidomos me një natyrë të mrekullueshme. Ka peisazhe pikërisht çfarë I duhen një poeti, i cili synon të krijojë apo të pasqyrojë shpirtin e vet.
Unë në fakt jam rritur atje dhe kam marrë diçka nga natyra e Strellcit, nga peisazhet e bukura, nga çiltërsia e tij. Vi nga një familje fisnike fshatare. Jemi gjashtë fëmijë. Kemi pasë një babë, mjerisht-jo intelektual, sepse rrethanat ia imponuan të mbetet I tillë. Por, ai lexonte dhe e kuptonte jetën më mirë se ndoshta, të them, një doktor shkence.
Valdete Antoni: Dhe, poezinë e parë ta rrëfeu babai?
Ajete Sh. Beqiraj: Jo. Duket se shkrimet I kam më shumë nga nëna! Sepse, ajo kur u martua, edhe atëbotë e shprehte dashurinë përmes vargut. Mirëpo, që nga fëmijëria e deri sa pati jetë baba im, unë më tepër kam qënë e lidhur me babanë. E kam dashur shumë! Privilegjet dashurinë e mbështetjen që I kisha unë, nuk i pati asnjeri fëmijë. Prandaj, kur iku nga jeta më është shkëputur një copë e shpirtit, më është thyer një krahë dhe kam pas vështirësi edhe të ngritem dhe të vazhdoj pas tij. Megjithatë, jeta të mësoka t’I duash edhe rënjet e tua dhe të ngritesh, serish…
Valdete Antoni: Ajetw, kush të ka thirrur për herë të parë me këtë emër?
Ajetë Sh. Beqiraj: Po, është një rrëfim I cuditshëm, megjithatë, unë do t’ua besoj juve. Fëmija I parë prindërve të mi, kishte emrin Ajete.Por, motra pas pak ka vdekur një ). Pas saj më ka lind një vëlla tjetër, edhe një motër tjetër por, nëna ime s’ka pas fuqi që t´i emërojë me emrin e saj. Halla ime, me t’I lindur vajzë ia ka vënë këtë emër. Por, gjyshja nga babai, kur jam lindur unë ka thënë: “Emri ka qënë imi dhe unë kurrë s’do t’ia lë vajzës së bijës sime, por do ta gëzojë vajza e birit tim”.
Valdete Antoni: Po si të thoshte mëma. I ngjaje motrës?
Ajetë Sh. Beqiraj: Jo. Ajo ka qënë shumë e bukur! Nëna thotë, fëmijë më të bukur nuk kam pasë as nuk kam pa. Dhe sigurisht, fëmijët që I merr Zoti e kanë një bukuri më në vete!
Valdete Antoni: Po vetja si të është dukur kur ke qënë e vogël?
Ajetë Sh. Beqiraj: S’e di! Gjithnjë kam pas bindjen se isha e shëmtuar. Ai kompleks më ka përcjell deri atëherë kur jam vetdijësuar aq sa të njoh vlerën e vërtet të cdo gjëje që m’ka rrethuar.
Valdete Antoni: Më sa kam kuptuar unë nga ajo që kam lexuar, ka qenë një dorë magjike e një qënieje tjetër që t’ka vënë në këtë lëvizje bukurinë dhe të ka bërë që ta shikosh veten në një pasqyrë të besueshme.
Ajetë Sh. Beqiraj: Kjo mund të jetë e vërtet! Dhe, kur them kështu mendoj se deri në një moshë të caktuar isha një fëmijë rrebele, e cila kalonte kohën mureve e pemëve, pa bërë asnjëherë çfarë bënin qupat. Aq më pak i jam dhënë librit. Asnjëherë nuk jam ulur të lexoj sic bënin të tjerat. Dhe, mbase kjo ‘dorë magjike’ më preku në një formë tjetër, kur në moshën 16 vjeçare krejt papritur, fillova të shkruaj. “Ylli që ndriçon…”, ishte vargu im I parë dhe I vetëm që më kujtohet. Atëbotë mendoja se I kisha lexuar diku. Mirëpo, koha e dëshmoi se mua po më frymëzonte dicka.Që atëherë kam filluar të shkruaj romanin e parë, sepse dëshira që të jesh e lirë dhe provinca janë dy gjëra që gjithnjë janë në përplasje me njëra-tjetrën. Pikërisht duke jetuar në një provincë si fëmijë I dy prindërve jo të pasur…
Valdete Antoni: Dhe, me dëshirën e jashtzakonshme për të qënë vetvetja. Me një temperament shumë të vecantë…
Ajetë Sh. Beqiraj: …Pastaj, mentaliteti që të detyronte të ndrydhje vetveten, kanë ndikuar në mua. Prandaj, atë Ajetën që nuk kam mundur ta kem në jetë, jam munduar ta kem në vepër. Romani im I parë(ishte një tërësi e vetme, më vonë u bënë dy pjesë), i shkruar në moshën 16 vjeç, 99 për qind është imagjinatë e pastër. Sepse, ato që s’kam mundur tí kem në botën reale i kam krijuar në botën time. Me kohë, të gjitha më kanë ardhë, por atëbotë unë nuk I kisha… Nga ana tjetër, forma e familjes të cilën e kam ndërtuar…Unë, në një familje të tillë jam rritur, në atë frymë, të ndershme, plot dashuri, plot afërsi, mirëkuptim njerëzor. Ajo ka qënë familja ime!
Valdete Antoni: Pra, ti parandjeve dhe e pe tek vetja gjithë atë që mund të të ndodhte më pas?
Mosha kur enderrat dhe realiteti kishin nje bote ndermjet…Ajetë Sh. Beqiraj: Unë këtë nuk e di! Por, është një fakt se gjërat e bukura që I kam shkruar m’I ka sjell jeta. Atë lirinë, atë të qenit vetvetja, realizimin e shumë dëshirave të cilat I kam shkruar në letër e megjithatë më janë dukur të pakapshme!
Valdete Antoni: Dhe, në moshën 16 vjeçare ti shkrove romanin e parë?
Ajetë Sh. Beqiraj: Po. Është e vërtet!
Valdete Antoni: Ndërsa, unë do të ndalem që disa radhë t’ua jap edhe dëgjuesve.
“…Perdja e natës po ngrihej e agimi po rrëshqiste I larë në vesën e fshatit.Kokrrat e rrumbullakta të vesës ishin derdhur nëpër fusha si margaritarë. Kënga e bilbilave po hapte kurorat e luleve e kori I shpendëve zgjonte ëmbël fshatarët nga gjumi I natës. Edhe dielli shkëlqeu mbi majat e pishave dhe, duke depërtuar nëpër degë, I fali shkëlqimin e artë panoramës së bukur të fshatit. Një rreze u shkëput nga tufa dhe , duke u përvjedhur nëpër dritaren e hapur, u shkri në nurin e bukuroshes së fjetur. Ajo hapi qepallat e gjata dhe shikimin e freskët hodhi përjashta, duke përzier një psherëtimë të përgjumur me gugatjen e pëllumbave në parmakë…”
Valdete Antoni: Dhe, si titullohet ky roman?
Ajetë Sh. Beqiraj: : Është pikërisht siç ishte dhe poezia e parë: “Ylli I Fatit…i pushonte në dorë”.
Valdete Antoni: Të kujtohet pse u nxite që ta shkruaje fillimisht?
Ajetë Sh. Beqiraj: Nuk e di!… Ishte natë vere. Ajo erë e ngrohtë e muzgut në fshat, ajo aromë e pastër, tarracë e drunjtë… Kushedi ç’më frymëzoi?
Valdete Antoni: Në poezitë e tua ka mjaft dhimbje…Dhimbje, dhimbje dhe përhershmërisht një gjëndje pritjeje! Gjithmonë ke një besim se dicka do të ndodh. Se do të meritosh atë që ke tek vetja. Se do të të kthej Zoti pikërisht atë që është nisur për ty…
Ajetë Sh. Beqiraj: Valdete. Cdo sukses sikur është I destinuar të paguhet me një humbje në jetë! Kjo si duket ka ndodhur edhe me mua. Në një anë kam fituar-në tjetrën kam humbur, si cdo njeri që ka ato rënjet dhe ngritjet e veta. Është një etapë e dhimbshme e jetës sime, e cila mjerisht u përmbyll edhe me vdekjen e babait tim!…Ato poezi janë pasqyra e vërtet e shpirtit tim, e jetës sime… Këtë do të doja ta dinë edhe ata që i lexojnë, ndonëse ata që e kuptojnë vargun e dine se cdo poet kapet për diçka që të krijojë. Sidoqoftë, unë besoj se një njeri njerëzor, një njeri me ndjenja të çiltëra, mbase do të përplaset në jetë, por në fund, fitorja është e tij. Unë besoj fort dhe nuk dyshoj, sepse Zoti I do të mirët. Dhe, nëse asgjë tjetër nuk kam, Zoti më fali një shpirt të çiltër dhe kjo më mjafton!
Amanet
Cdo ditë me rrezet e diellit
ta puth dheun
BABA!
Në heshtje lus qiellin
Me shi t´na vajtojë fatin,
Amanet ua lë engjëjve
Roje të t´bëjnë mbi gur
Me shkrumbin e shpirtit
Ta shkruaj epitafin.
Se bota e mashtrimit
Ishte e panjohur për ne
Fushë e tradhtisë
Fushë e pashkelur
Djerrinë…
Ti shkove pranë Zotit
Të gjesh të vërtetën
Unë në botën e djallit
Do t´mundohem gjithë jetën
Ta kthej bekimin tënd!
Valdete Antoni: Me sa lexova në biografinë tënde të shkurtër, ke punuar edhe në sallon bukurie. A vërtet zbukurojë vasha e nuse, pikërisht duke parë që kishe dëshirë të zbukuroje vetveten?
Ajetë Sh. Beqiraj: Është vërtet. Por, kjo është një rrugë të cilën më shumë ma kanë imponuar rrethanat. Sepse, siç e thashë dhe më lart, familjes sime asgjë nuk I mungonte, por me tepricë nuk kishte. Dhe, për botimin e librave duhej shumëcka. Prandaj, duke qënë se deri në promovimin e librit të parë nuk kam deklaruar prirjen për shkrimet, është dashur…
Valdete Antoni: A I përshtatej natyrës tënde?
Ajetë Sh. Beqiraj: Deri diku, po! Por, dua të them se më duhej një rrugë e shkurtër që të arris deri tek paraja dhe kështu të botoj librin e parë, sepse në ato rrethana ishte e pamundur. Kështu që, u detyrova që për një kohë ta lë shkollimin anash që t’I përkushtohem zejes, dhe me thonjtë e mi e me ndershmëri, t’I jap dritë vargut tim. Kësaj edhe ia dola. Por, sa është I vlefshëm ta shohë dritën, këtë le ta vlerësojë lexuesi…Po edhe dëgjuesi, në këtë rast! Me kohë, unë edhe fillova ta dua atë zanat sepse, ai m’i hapi të gjitha dyert. Gjithë cfarë desha në jetë unë edhe mora se paranë kisha në dorë dhe me atë I hapja dyert e mia…
Valdete Antoni: Të ndodhte që t’I thoshe dikujt që ishe e trishtuar kur e zbukuroje edhe ndonjë fjalë të ëmbël kur vinte para pasqyrës aty në sallon?
Ajetë Sh. Beqiraj: Po. Dhe cka është më e cuditshme ato shumë herë edhe më janë hapur. Më kanë besuar! Ndoshta, sepse këtu brënda gjithnjë kam pasur një dry që s’më ka lejuar të shpërndaj ato që m’I kanë besuar njerëzit. Gjithnjë më janë hapur gjithnjë dhe kam biseduar me to si një mike e mirë. Jam munduar t’I kuptoj problemet e tyre, ndonëse unë jetoja në një botë krejtësisht tjetër.
Valdete Antoni: Paramendo: është një vajzë ose një grua e ulur në karriken e sallonit dhe po shikohet në pasqyrë. Ti je pas dhe teksa ia rregullon flokët, ndërkohe sheh dy sy të trishtuar. Rikujton një portret të tillë?
Ajetë Sh. Beqiraj: Kam parë…Kam parë mjerisht, edhe me vrragë të cilat më është dashur tua mbulojë me pudër. Sepse, si mbrëmë, burri I dehur e kishte rrahur dhe të nesërmen ajo duhej të shkonte me vjehrrën mysafire, e detyruar të aktronte gruan e lumtur ndonëse përbrënda ishte fare e kundërta. Ato kanë ndikuar shumë në jetën time dhe, në librat e mi nuk është vetëm një femër por janë të gjitha në një! Jam munduar që nga çdo këndvështrim t’I shoh hallet e femrës. Sidomos në këtë dhjetëvjecarin e fundit, qëkur regjimi serb I detyroi meshkujt të marrin rrugët e botës, shumë femra e kanë vuajtur. Shumë nuse kanë mbetur me dhjetë vjet me 12 vjet, me fëmijët e vegjël dhe me pleq. Shumë vajza kanë mbetur me lule në dorë nëpër stacionet e Evropës! Sepse, janë fejuar dhe shenja me të cilën do të gjendeshin ishte një lule në dorë. Dhe, nëse djalit nuk I ka pëlqyer, ai e ka lënë aty! Pastaj, të tjera, të cilat kanë shkuar me ëndrrën e madhe të perëndimit dhe atje kanë gjet një ferr të vërtet, një llahtar. Dhe, nuk kanë gjet rrugëdalje tjetër vec largimit,apo shumica prej tyre kanë shkuar deri në vetvrasje. Është një tmerr, por kjo ka ndodh me vajzat tona në Kosovë. Për Shqipëri nuk kam informacion. Më vjen keq që nuk di më shumë! Por, në Kosovë kështu ka ndodh. Sepse, shumica e djemve tanë, thjesht, duke e parë Evropën kanë harruar ku janë lindur, ku janë rritur, kanë harruar traditën…
Valdete Antoni: Po ti e ke përgatit pajën tënde?
Ajetë Sh. Beqiraj: Po…
Valdete Antoni: Janë qendisma vetëm nga dora jote apo edhe të nënës?
Ajetë Sh. Beqiraj: Të nënës, të motrave të mia, por kryesisht të miat.
Valdete Antoni: Dhe, sa vite ato presin e presin…Qarqafë, jastekë dhe mbulesa, shami te bukura…
Ajetë Sh. Beqiraj: Valdete!
Valdete Antoni: …A të trishton hapja e asaj arke?
Ajetë Sh. Beqiraj: Unë nuk e hap më…Ka vite e vite, që nuk e hap më dot as nuk dua ta shoh më!
Nënë!!!
A ke dëgjuar ndonjëherë
Të vritet zemra
Vetëm pse dashuron
A ke provuar si vetmohet gruaja
Pa u nusëruar mirë…?!
Zgjodha verbërisht nënë
Me sytë e zemrës…
Dashurova çiltër
Shpresova kurorën
Pse më linde besnike
Mbeta
Pre e dashurisë tradhtare!
Tash jam tretur në natë
Velloja më mbet shkret
Kërpudha myku
Në shtratin e larë me lotë
Fotografitë
M’i ka mbuluar pluhuri
Ai nuk deshi t’i ruaj
As për kujtim…
Andaj nënë
Mos m’kërko më ndër nuse
Do të martohem me mortjen
Veshur e tëra me lule
Në varreza do të kurorëzohem
Mos ma dëshiro as jetën
Do të ik atje ku bie aromë parajse
Praruar në dritën hyjnore
Meloditë engjëllore
Të m’a përkundin shpirtin,
Do të shkoj nënë
Oh, të çmallem
Me babën zemërplasur
Mallkuar çoftë jeta
Në këtë botë mëkatare!!!
28 Tetor 2001
Valdete Antoni: Ke udhëtuar dhe ke jetuar për disa kohë në Gjermani. Po aty ke punuar?
Ajetë Sh. Beqiraj: Kam punuar. Kam punuar por më shumë kam krijuar. Librin tim të dytë e kam ristrukturar dhe e kam botuar po nga atje,kuptohet me komunikim elektronik këtu te Toena, sepse ishte e pamundur në atë kohë meqë leje qendrimi nuk kisha dhe nuk mund të lëvizja shumë. Pastaj, edhe librin e tretë…
Valdete Antoni: Po aty çfarë pune kreve?
Ajetë Sh. Beqiraj: Nuk kam qenë edhe e pafat në punë, sepse mjerisht, shqiptarët është dashur të bëjnë lloj-lloj pune për të ekzistuar dhe për të siguruar bukën për familjet në Kosovë. Në Gjermani jetova pesë vjet, por punova vetem dy, sepse kisha dy vëllezërit, kishim nusen dhe ata punonin…
Valdete Antoni: Dhe studioje?
Ajetë Sh. Beqiraj: Jo. Nuk studioja. Pasi i jam rikthyer Kosovës u jam përkushtuar studimeve. Dhe kjo vetëm për faktin se hasja në atë : “Ta kam lexuar librin. Ah, sa I mirë ishte! Cka keni studiuar?” Dhe, thashë se ishte koha ta bëja atë që do duhej ta kisha bërë kohë më parë. Kështu, iu përkushtova studimit, e mbyllur pa punuar asgjë nga krijimtaria derisa përfundova Shkollën e Lartë të Gazetarisë “Faik Konica“. Mjerisht,tek tani është shpallur fakultet!
Valdete Antoni: Nuk të pa asnjë fytyrë e vëmendshme gjatë kohës që jetonit në Gjermani?
Ajetë Sh. Beqiraj: Sigurisht! Por ata kryesisht ishin grek, italian, gjerman. Ndërsa, unë jam shqiptare dhe dua të kem përkrah vetëm një shqiptar!
Valdete Antoni: Nuk I ndalet sytë asgjëkundi?
Ajetë Sh. Beqiraj: Unë në fakt kam ndalur sytë kohë më pare …E edhe po mos ta kisha bërë, unë vetëm shqiptar dua përkrah vetes!
Valdete Antoni: Nuk mundi t’I shemb dashuria këto lloj rregullash?
Ajetë Sh. Beqiraj: Jo. Te unë jo! Cdo respekt për të gjithë ata që përcaktohen për të tjerët por, unë kam këtë qendrim.
Valdete Antoni: Tani, të mendojmë se je pranë mikrofonit, në atë studion e radios ku punon. Si do ta nisësh përshëndetjen në këtë mbrëmje?
Ajetë Sh. Beqiraj: “Miq të dashur, mirëmbrëma kudo që jeni dhe përshendetje nga valët e ngrohta të Radio-Pejës. Duke shpresuar se pas jush keni një ditë të mirë e të mbarë, ju ftojmë të qëndroni prane nesh, sepse për juve kemi përgatitur dicka shumë të veçante. Por, atë do ta mësoni pas një kënge. Pra, le ta dëgjojmë bashkë në vazhdim!”
Valdete Antoni: Dhe pas këngës, të nderuar dëgjues, do të ndjejmë këngëtimin e Ajetës përmes vargjeve të saj.
Rini mynxyrë
Mos më pyetni mua të sfilituren
Përse zemren pa faj burgosa
Ishte e çiltër e kthjellët si vesa
Mbrujtur e gatuar në mirësi,
Mos më gjykoni përse në thelb
Çdo hap thika t’egra i ngulita
Me vuajtje të përgjakshme
Shpagova jetën këtë mëkat të ziMos m’ia përtërini shkrumbin zemrës
Mos m’ua gërrithni plagëve dregzën
Heshtur më përcillni edhe ndër varre
Kur n’qepallë stepur të mbetet shikimi,
Trupin në arkivol kur t’ma shtrini
Mos m’vajtoni por lutuni për mua
Ato duar që m’u prenë në jetë
Të më zgjaten drejt amshimit
Trupi i dergjur do të gjej prehjen
Vetëm në varr ku mbretëron heshtja
“Rinia ime ishte Mynxyrë”
Në gur të varrit gdhendni mbishkrim,
Kur në Ditën e Madhe të Gjykimit
Zemra në shpirtin tim të ankohet
Aty të gjithë do ta kuptoni
Domethënjen e Amanetit tim!
27 Mars 2001
Valdete Antoni: A keni ndonjë peng në këtë mbrëmje?
Ajetë Sh. Beqiraj: Mendoj se do t’I mbetem borxh dëgjuesit, do t’iu mbetem borxh ndoshta edhe juve, poqese nuk ua them se kjo është hera e parë që kam pranuar të intervistohem nga dikush. Dhe, për asgjë tjetër veç për faktin se kam menduar se ende nuk kam çfarë t’I them lexuesit. Sepse, mua me habisin njerëzit që bëhen të mëdhenj me një poezi, me një libër? Unë mendoj se krijuesi duhet të krijojë në heshtje dhe jo të imponohet apo të ekspozohet para kohe me vlerat e tija. Vlerat do t’I identifikojë koha, vet koha! Kështu që, sado që kam pasur rastin, unë gjithnjë jam tërhequr e bindur se ende nuk është koha. Duke u nisur nga respekti që ndjej ndaj jush dhe sidomos nga respekti që ndjej ndaj këtij mikrofoni dhe dëgjuesit tuaj, e kam për nder të jem mysafire juaja dhe të bëj prezantimin tim të parë si krijuese para mikrofonit të Radio-Tiranës.
Valdete Antoni: Dhe, unë dua t’iu them një të fshehtë: këtu, para mikrofonit është një gur mademi dhe kur ai ndjen zona të tilla ndjeshmërie, fillon e ndrit më shumë. Të jeni e sigurt se tani, siç po e shohim edhe vet, ai shëndrit. Dhe unë jam e bindur se dëgjuesit dhe miqtë e këtij emisioni e kanë ndjerë pasurinë shpirtërore, mendimin tënd dhe dlirësine e një vajze që vjen nga Kosova dhe sjell me vete edhe universalitetin e pasurisë së saj!
Ajetë Sh. Beqiraj: Unë ju falenderoj shumë… Faleminderit për respektin! Përshëndetje për të gjithë dëgjuesit dhe respekt në vazhdimësi, sidomos për kolegët e mi ne Radio Tirana, të cilët mjerisht më duhet t’I lë se më duhet të kthehem në Kosovë. Po marr me vete përshtypjet më të mira. Me të vërtet, është mëkat pse kam shkel Evropën më parë se të shkel Tiranën. Mirëpo, gjithnjë ka mbetur një ëndërr e palosur në gjirin tim. Tash më erdhi rasti në rrethanat më të mira ta shoh Tiranën. Kam njoftë njerëz të mrekullueshëm! Kam marrë përvoja të mira nga këtu dhe dua t’iu them dëgjuesve se janë fatlum pse kanë pranë vetes një staf të tillë, I cili mundohet të japë gjithçka nga vetja vetëm që ata të ndjehen mirë. Do të doja të jem edhe unë pjesë e tij. Mirëpo, mua Kosova më pret… Vendi im më do dhe do të kthehem atje!
Valdete Antoni: Rrugë të mbarë….
Radio Tirana,12 maj 2004
Autore e emisionit: Valdete Antoni
12 maj 2004, në Shqipëri
Operator zeri: Vjosa Luto
Weblinks: Cmimet ne gazetari