XHEVAHIR SPAHIU: “Liria i ka hije një populli moçmërisht të moçëm”

Qershor 2004.“Të krijojme atë ndjenjë të kohezionit kombtar, atë njësim shpirtëror të domosdoshëm, se ne duam të jemi në Evropë jo si një statujë e copëtuar por si një komb shpirtërisht i bashkuar dhe siç e ka bërë Zoti, kjo të jetë Shqipëri e parë…”. Kjo është porosia e mjeshtri të fjalës së mprehtë dhe të poezisë goditëse Xhevahir Spahiut, i cili shquhet për origjinalitetin dhe individualitetin  krijues.

Ajetë Beqiraj: Mjafton të përmendim Xhevahir Spahiun dhe lexuesit tanë do të bëhen sy e vesh të mësojnë diç më shumë për ju. A do të na thoni ju lutem dy fjalë për veten?

Xhevahir Spahiu: Patjetër. Është kënaqësi të shkëmbej mendime me njerëz që më njohin dhe që s’më njohin-qoftë sy ndër sy-qoftë përmes fjalës poetike. Është i nevojshëm ky bashkëbisedim sepse letërsia, arti, janë komunikim. Sido që të ndërrojnë nga një penë në tjetër, nga një dorë në tjetër, sado ngjyra vetjake të kenë ata gjithsesi shkëputen nga dora, zemra dhe mendja që i krijon dhe shkojnë gjetkë në sy mëndje dhe zemra të të tjerëve.E pikërisht për këtë, edhe kjo bisedë si edhe vet arti është një komunikim i nevojshëm!

“Ndjenja dhe mendimi janë thelbi i qenies njerëzore”

Ajetë Beqiraj: Poezia është pasqyrë e shpirtit, e ndjenjës. Por,cka është ndjenja për një artist?

Xhevahir Spahiu: Ndjenja tek njeriu është padyshim pjesa më thelbësore së bashku me mendimin.Po mungoi njeri është sikur mungon një krah. Dhe, një zog nuk mund të fluturoj me një krah. Pikërisht tek ndjenja dhe mendimi, këtu është çudia! Si do të shkrihen në njëra-tjetrën,si do të fuçizojnë njëra-tjetrën pa thënë që:”Ja. Kjo është ndjenja-ky është mendimi!” Pa i treguar lexuesit që “Shiko sa di unë”! Por, në mënyrë të magjishme ta fusim brenda vetes qoftë me vrull qoftë ngadalë, por pastaj ta ketë vështirë të dalë. Kështu që ndjenja, zemra, shpirti, zbulojnë shpeshherë të vërteta shumë më të mëdha sesa vet mendja njerëzore edhe racionaliteti. Po mungoi kjo ndjenjë, vështirë se do të jemi në lëmin e pastër të artit. Po mungoi ndjenja, do të zblyret arti pastaj në një formulë të ftohtë algjebrike me mendim të thatë filozofik,që vërtet të bën të mendohesh por nuk të bën të shpërthesh në të qeshura apo të trishtohesh gjer në palcë.Nuk të bën të qash, e pse jo? Të bën të mendohesh dhe kaq! Këtë magji ia jep ndjenja mendimit dhe ajo e përcjell. Ndërsa, ne jemi një popull shumë i ndjeshëm. Siç thonë shpesh kritikët:”I qaset me një ndjeshmëri të veten, me një senzibilitet”. Kështu që, pa ndjenjë nuk e di cfarë do te ishte arti?!

Ajetë Beqiraj: Është lumturi kur njeriu e vëren se nuk ka kaluar një jetë koti por ka bërë shumëçka për vete e me këtë edhe për të tjerët. Cilin moment do ta kishe përsëritur, po të kthehej koha prapa?
Xhevahir Spahiu: Të bëhem serish dhëndër,domodo (qeshemi). Po,njeriu kur e vështron vetveten duhet të ketë trimerinë që ta shikoj me sy kritik, jo vetëm botën apo jo? Sepse është më e vështirë dhe më e dhëmbshme të gjykosh veten. Në rrugën e vet pastaj le gjurmë të mira apo gjurmë të këqia, varet kush peshon. Edhe unë mendoj se shumë gjëra mund të mos ishin bërë ose mund të ishin bërë më mirë, më ndryshe. Po njeriu nuk është i vetmuar! Njeriu është sa i vetmuar aq edhe i qarkuar dhe me një peshë graviteti me botën ku jeton. Është një pavarësi e kushtëzuar do të thosha, pavarësisht që dikush edhe atë guximin trimërinë qytetare e ka më të madhe, hapësirat e kësaj lirie,të kësaj pavarësie i ka më të mëdha. Dikush që është natyrë më e butë dhe më e përmbajtur e vuan atë edhe më fort, ndërsa natyra ime është e tillë që vërtet më shumë kam qenë i papërmbajtur. Dhe, këtu nuk është puna as për ndonjë dobësi as për ndonjë meritë,por e them sepse kështu është e vërteta për ta karakterizuar disi vetveten, megjithëse është shumë e vështirë që njeriu ta përcaktoj atë.Por,disa gjëra i di për veten më mirë se sa të tjerët. Kështu që këto ngutje ose këto tipare të natyrës krijuese që ka secili kanë të mirën,sepse përcaktojne fytyrën e secilit,atë që ne e quajmë individualitet krijues që ta jep vetëm vetvetja por edhe jeta. Me ç’sy e shikon ti atë ? Gjithsesi pra,varet shumë krijimtarija dhe stili i krjuesit. Nuk thonë kot që ‘është vet krijuesi. Është ai vet”!Kjo pastaj përcakton jo vetëm individualitete krijuese, por krijon edhe stile të caktuara. Unë do të thosha se çdo krijues ëndërron të ketë stilin e vet.Të jetë ai!

Xhevahir Spahiu: “Artisti duhet të jetë vetvetja dhe askush tjetër”

Ajetë Beqiraj: Sipas mendimt tuaj, çfarë duhet bërë një artist për të qënë vetvetja?

Xhevahir Spahiu: Ne shpesh e ngushtojmë stilin. Sikur është vetëm fjala, ose ritmi, ose lloji i vargut,etj.Duhet parë shumë më gjërë, që nga motivet që të shqetësojnë. Cilat janë motivet themelore që njeh krijuesi?Cili është këndi i vështrimit? Cilat janë ritmet që ai i përdor? Cilat janë fjalët e tija dhe të askujt tjetër? Kështu që kur të mbyllim sytë edhe pa e lexuar emrin e tij themi ‘Ah po! Kjo është e Lasgushit. Kjo është e Fishtës. Kjo është e Fatos Arapit apo edhe e Ali Podrimes.Kjo është një gjë e madhe. Këtë nuk ta fal askush!Kjo arrihet së pari, duke shpallur sinqerisht vetveten dhe e dyta, duke punuar pastaj në mënyrë sa të pavetëdishme, me një vetvete të shpallur në mënyrë instinktive aq edhe në një mënyrë të vetëdishme e cila vjen hap pas hapi. Dhe unë mendoj, kur bashkohen pa vetëdia me një vetëdie profesionale dhe krijuese sidomos në poezi, por pa e përtharë atë lëngun e jetës dhe të vetvetishmërisë, kur bëhet përsosja edhe e formës edhe përmbajtja, ai trazim që ka artisti brenda vetes përcillet edhe tek të tjerët, komunikohet dhe shumëfishohet. Bëhet jetë!

Ajetë Beqiraj: E përmendët pak më lart individualitetin krijues.A ishte e vështirë ta identifikoni në ju unin e vetvetes?
Xhevahir Spahiu: Kjo ka ardhur,mendoj unë, në menyrë të vetvetishme. Sepse unë në hapat e parë kam shkruar, por vite me radhë nuk e kam pasur këtë si mishërim.Juve po ua them ndoshta për së pari herë! Vonë shumë vonë…”Unë shkruaj kalimthi!” – thosha. Domethënë, nuk qëndroja, nuk ulesha që t’i ipja rrënjë dhe të merresha siç merret një punëtor me punën e vet në mënyrën më kohëgjatë dhe më të përqëndruar. Do të thosha se arti është përqëndrim! Dhe, unë gjithsesi, duke e parë se në krijimtarinë time ndonjë gjë edhe më pëlqente por këtë filluan edhe të tjerët ta vënin në dukje, atëherë kjo është ndërgjegje krjiuese. Kur vetvetja gjen kohën më të përshtatshme për t’u portretizuar, për t’u vetënjohur si nga vetvetja ashtu edhe nga të tjerët. Gjithsesi kjo punë e krijimit të stilit është një rrugë e gjatë. Ka njerëz që kanë të dhëna një herë e përgjithmonë dhe nuk lëvizin gjatë jetës së tyre. Ka të tjerë që janë më dialektik, më të larmishëm në rrugën e tyre krijuese. Mbase të dyja kanë ato vlerat e veta, por kjo e dyta më duket më e bukur sepse është si natyra që ka dhe shkrepa dhe bimë, ka dhe plazhe, ka dashuri, ka jetë dhe ka vdekje. Domethënë, ka ngjyra më të pasura. Ky stil pra, që vetvetiu depozitohet gjatë rrugës krijuese dhe që është në lëvizje e sipër si një lumë që rrjedh. Gjithësesi,është një pasuri dhe shkon paralel ose bashkë me jetën e krijuesit sepse ato që mendojmë në rini nuk mund të mendohen në një moshë të thyer.Mbetet diçka thelbësore brënda vetes.

Ajetë Sh. Beqiraj: Në një krijimtari të gjatë si tuajën,sigurisht që keni marrë edhe shumë mendime të kritikëve. Çfarë kujtoni dhe mund t’na cekni me këtë rast?
Xhevahir Spahiu: Është një krijues shumë i mirë që u zbulua pas vdekjes. Një krijues i mirë tiranas, i lindur dhe i rritur në kryeqytet.Ishte Drejtori i Bibliotekës së Universitetit, Mihal Angjari. Pas vdekjes së tij u botuan vëllime me poezi dhe shumë përkthime. Ai ishte njeri me kulturë dhe unë e njihja. Dy-tri herë e kam takuar por tani u mor vesh që ai shkruante, dhe shkruante bukur fort! Ai me takoi një herë dhe…Të më falni!Por e kisha tek mendimi, prandaj po e sjell këtë shembull dhe mos të merret si vetlëvdatë. Mund të jenë shumë kritika më të bukura dhe më të forta se të atij.Por, ai gjeti një mënyrë shumë të bukur dhe të tërthortë të tregonte se mua më pëlqen poezia e Xhevahirit. “Më pëlqen,sepse me kujton një fjalë të Pul Valerisë,që ‘Poeti i vërtet edhe në moshë të thyer e shikon botën me sytë e fëmijës’ “-kish thënë. Të t’them të drejtën kjo më preku. Domethënë, njeriu ndryshon, mirëpo e kisha atje se “ç’është shtatë-është shtatëdhjetë”-thotë populli. Jo në kuptimin që si mendon ai shtatë vjeçari mendon edhe shtatëdhjetëvjeçari.Por, ka diçka gjenetike, diçka të pandryshueshme në gjenet e krijuesit dhe të vet njeriut. Këtu pastaj vinë ato tiparet që i japin fytyrë krijimtarisë, e bëjnë burimore, origjinale, autentike-siç thotë bota. Dhe, këtë autenticitet të krijuesit të cilin ai e ëndërron, unë them se e ka edhe letërsia e çdo kombi. Mirëpo, letërsia jonë pëlqehet edhe nga të huajt sepse e ka pikërisht këtë burimësi, këtë autenticitet e cila është vetëm shqiptare.Ne kemi historinë tonë. Drama nga më të çuditshmet, apo jo? Kemi diellin e Mesdheut, të gjitha këto bashkë, vetvetja, natyra ku je rritur, jehonat e historisë, ndërthuren dhe japin atë që njeriu e quan, origjinalitet. Dhe, unë them se poezia jonë e madhe ka një origjinalitet të dukshëm dhe në mënyrë më se të saktë e ka shprehur poeti, kritiku dhe akademiku maqedonas Ante Popovski i cili kur u njoh me poezinë shqipe në katër libra të zgjedhur që u botuan para gjashtë vjetësh, tha: “Poezia shqipe është prijëtare në Ballkan”. Ka të drejtë!

Ajetë Sh. Beqiraj: Sa po kultivohet krijimtaria e mirëfilltë nga poetët e rinj?

Xhevahir Spahiu: Të them të drejtën në brezin e ri kam miq sa të duash. Tridhjetë, dyzet vjeç më vinë, më japin libra në rrugë, në kafene, në punë. Është një gëzim dhe unë i lexoj! Ai që më takon ato ditë i them mbresat e mia. Nga libri yt më kanë pëlqyer këto tri katër vargje…Tri katër nuk janë pak,apo jo? Përpiqem ta shoh me sy dashamirës, jo me atë vështrimin e kritikut të rreptë, të ngrirë por si një njeri që do të rritet dhe do të bëjë gjëra më të mira. Në qoftë se ai ka tri-katër vargje të mira në një poezi, të mësoj nga vetja duke e rimarrë vetveten. Të mirën e çon më tej atë të keqen e lë pas. Ka shumë të rinj të talentuar, qoftë vajza-qoftë djem. Tani vinë më të armatosur me kulturë. Padyshim që i kanë mundësitë. Rrugët janë të hapura, librat dhe çdo gjë e mirë. Kanë një shpirt kërkues, kanë fantazi. Shqiptarët kanë fantazi të jashtëzakonshme. Ky është vendi i fantazisë, atdheu i fantazisë mund ta quaj!

Ajetë Sh. Beqiraj: Cfarë do t’i këshillonit këta të rinj?
Xhevahir Spahiu: Thuhet se gjëja më e lehtë në botë është të japësh këshilla.Kështu që, ata le t’i dëgjojnë këshillat e mia por pastaj t’i harrojnë dhe të bëjnë si dinë vet ata. Me këtë rast unë kujtoj përgjigjen e Fan Nolit, i cili kur e pyetën se çfarë duhet të bëjë një poet i ri, ai u përgjigj: “Të rrëfehet. Por, sidomos të rrëfejë mëkatet e veta!” Pra,të jetë i sinqertë me një kulturë të të shkruarit, jo të kuptimit vetëm të kulturës së leximit por të kultures së gjuhës.Arti i gjuhës do ta krijojë secilin, siç e bën tani.Nuk them në letërsi por në politikë, që e batërdisen…”me ferra e hithëra përsipër të kanë rënë dhe dritën ta kanë zënë me fletë shumë të gjëra”. Kështu thotë për gjuhën shqipe në “Manushaqe”-n, Naim Frashëri.Dhe tani, me fjalë të huaja po bëhet një agresion ndaj gjuhës shqipe. Është e pafalshme! Këtë pasuri të mrekullueshme, më të madhen që ka kombi shqiptar -gjuhën, ne duhet ta ruajmë si sytë e ballit, si jetën tonë. E pra, këtu tek gjuha këta duhet të rrëfejnë një vëmendje më të madhe. Natyrisht, më pak emitime. Më pak tjetërkush e vetvete më shumë! Dhe, me këtë mendoj që të jenë më të hapur ndaj të tjerëve, jo si një grç i mbyllur që i merret fryma. Jam për këtë lloj arti, sepse hermetizmi është diçka e kaluar dhe nuk mund të kthehet si rrymë. Natyrisht, këtë e sjell shpesh edhe ajo prirja me cdo kusht për të qenë origjinal ose për t’u dukur i thellë. Ajo nuk është thellësi por vetëm përpjekje.Thellësia është tjetër gjë! Thellësia s’ka të bëj me errësirën. S’është e thënë se të gjitha thellësitë të jenë të errëta. Ka edhe ujëra që u lexohet fundi i detit nga një lartësi shumë e madhe, natyrisht, kur ke sy prej shqiponje! Kështu që unë kam besim shumë tek këta të rinj. Veçanërisht që ata të vinë me një frymë të re. Të vazhdojnë me një punë të palodhshme dhe jo të heqin dorë, sepse ka disa që bëjnë librin e parë shumë mirë dhe tërhiqen. Fajin e ka jeta, e ka shoqëria që nuk tregojnë një vëmendje ndaj krijuesit.Atë duhet ta ruajmë,se janë me gisht nuk jane me lopatë, apo jo? Krijuesit e vërtet lindin një në njëmijë, një në pesëmijë, pavarësisht që unë kam mendimin se ne jemi një popull artist. Por, shpeshherë, kjo ndodh edhe me fajin e tyre. O sa herë do të bjerë e do të ngrihet njeriu! Por, të mos jepet. Me një vullnet dhe forcë shpirtërore ta kapërcejë atë dhe ajo t’i kthehet në përvojë jetësore dhe përvojë artistike. E them këtë sidomos për të rejat!Më pyeti këtu një herë një shkrimtar i njohur italian Rafaele Nikro, romancier(e njeh mirë edhe poezinë shqipe dhe një roman i është botuar tek ne). Teksa flisnim direkt në Rai 3 më duket me tha: “Z. Spahiu.C’mendoni për femrat artiste shqiptare?!” “Ka shumë-i thashë-Dhe mendimi im është që këto vite që ka një shpërthim të sinqeritetit të tyre dhe të një fryme shumë të madhe emancipimi. Ato shkruajnë libra dhe kanë poezi shumë të bukura.Mirëpo, pasi martohen ato nuk bëjnë më libra por bëjnë fëmijë!” “Kështu ndodh edhe tek ne!” – më tha ai. Kështu që, këto shqetësime që janë në Tiranë, në Prishtinë në gjithë letërsinë shqipe janë edhe gjetkë në forma të ndryshme!

“Prizreni-Kështjellë e historisë shqiptare”

Ajetë Sh. Beqiraj: Pranvera në Tiranë ishte e ngjeshur me aktivitete të ndryshme nga fusha e artit. Cfarë do të veçonit prej tyre?
Xhevahir Spahiu: Unë kam përshëndetur veçanërisht çeljen e ekspozitës së monumenteve historiko-kulturore të Prizrenit. Erdhën plot njerëz dhe jetuan me ato përfytyrime që kishin për Prizrenin, për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Ato jehona të historisë, si të thuash, i materializuan me fotografi një pjesë prej të cilave ishin fotografi të papara ndonjëherë, të gjetura nëpër arhiva të Marubit apo të tjerëve, që nga 1278-ta. Edhe unë vet aty gjeta gjëra të reja, të bukura. E vëren pastaj se si këto fotografi të çojnë tek ata njerëz, për të shkuar pastaj tek poezitë që janë shkruar për atë qytet i cili është një simbol i madh, një kështjellë e historisë shqiptare. Lidhja, ajo vatër që ngrohu shqiptarët atëherë, na ngroh edhe sot dhe na jep dinjitet. Që na pyet: “Sa jemi ne të denjë ta meritojmë lirinë?” Se liria paguhet me gjak, me kokë, me fjalë të prerë në mes, me gojë të mbyllur dhe cenzurë. Liria kërkohet me çdo kusht. Rruga drejt saj është më e vështira, por më sublimja. U ka hije një populli që është kaq i moçëm. Moçmërisht i moçëm! I shkon kjo qëndresë, kjo paepshmëri dhe ky vështrim përpara…Unë besoj tani, që letërsia do të ndihmojë shumë në krijimin e një mirëkuptimi në Kosovë, të një hapësire të re që edhe me fqinjin të jetojmë në paqe. Do të përpiqemi që t’ia detyrojmë vetes, që ato që duhen harruar edhe duhet t’i harrojmë për hir të së ardhmes. Të mos e mbash gjithmonë si atë plagën që e ngacmon, ndjenjën e urrejtjes të së kaluarës dhe të tragjedisë. Ajo do të rri atje! Nga kjo ka nxjerrë mësim secili, ne apo kundërshtarët në histori. Por gjithsesi, neve historia na ka vënë pranë e pranë dhe ne duhet të japim shembullin e një mirëkuptimi me fqinjin. Të fqinjërojmë,siç kemi fqinjëruar historikisht(këtë fjalë e kam gjetur te Thimi Mitko,tek “Vepra shqiptare”).

“Për libra nuk duhet të ketë kufi”

Ajetë Sh. Beqiraj: Cfarë mendoni për letërsinë shqiptare andej në Kosovë?
Xhevahir Spahiu: është e çuditshme pse du et të themi,këndej dhe andej! Është e çuditshme se si është ai kufi atje dhe librat, duhet të përcillen si në mesjete me varka nëpër liqej. Tani kam mësuar,se librat nuk çajnë dot sepse ju vënë taksa të mëdha në doganë. Këto bëhen qëllimisht. Unë si poet kam të drejtë ta them. Bile, ti denoncoj! Nuk ka kufi për librin! Këtë e them jo vetëm midis Tiranës dhe Prishtinës,por edhe mes Tiranës dhe Shkupit. Mua vet me kanë mbajtur për tre libra tri-orë në doganë.Cka do të bënin me ato librat e mi? Letërsia shqipe ka mesazhe humane, mesazhe paqeje dhe mirëkuptimi. Tani më thonë që i kalojnë librat o andej o këndej, me mushka. Epo ku jemi?! Tani, kjo botë që ka nënshkruar këtë Kartë të Helsinkit për qarkullimin e lirë të ideve,ta lërë librin të lëviz lirisht. Ja pra, të mos thuhet më andej dhe këndej se këtë kultura e ka shembur brenda vetvetes. Mirëpo, fanztamat e së kaluares nuk zhduken lehte. Ato qarkullojnë nga koha në kohë dhe shfaqen të ndryshme!Unë atë letërsi e njoh. Por,duhet ta njohin më shumë këtu, ta botojnë më shumë, ta duan më shumë. Padyshim që edhe letërsia e këtushme të botohet më fort atje dhe ta duam më shumë njëri-tjetrin. Të krijojmë atë ndjenjë kohezioni kombtar, atë njësim shpirtëror të domosdoshëm, sepse e kam përsëritur edhe aty kur u bë perurimi i ekspozitës. Se ne duam të jemi në Europë jo si një statujë e bërë copa-copa, koka këtej, këmba andej, krahu këtej sepse është e shëmtuar kjo statujë. Por, të jemi si një komb i bashkuar, shpirtërisht i bashkuar dhe siç e ka bërë Zoti, siç e ka bërë natyra ose siç thonë në Malin e Tomorrit ku unë edhe jam lindur, kjo të jete Shqipëri e Parë. Dmth.ajo e natyrshmja, jo ajo e bërë me përdhunë, e prerë apo edhe e zhvatur. Secili në shpinë e vet! Letërsia do të ndihmojë shumë,sepse tani betejat bëhen pikërisht në kulturë. Kjo kulturë do ta afrojë shumë Prishtinën me Tiranën. Këto marrëdhënie të ndërsjella kulturore dhe vajtje ardhjet do ta afrojnë më fort, sesa ajo udha që ka nisur të bëhet dhe që dëshirojmë të bëhet një orë e më parë që të vini ta shihni këtë pjesë të këtij vendi që quhet Arbëri, e cila fillon qe nga Mollë e Kuqe e deri në Gjirin e Artë të Prevezës.

Ajetë Sh. Beqiraj: Z.Spahiu. Faleminderit për minutat që na i kushtuat.Biseda me ju ishte jo vetëm kënaqësi por një leksion i vlefshëm për krijuesit e rinj!
Xhevahir Spahiu: Unë ju falenderoj juve, Jeta. Ju uroj juve sukses, ndërsa gjithë kosovarëve mbarësi. Letërsinë mos ta harrojnë, se kohët janë të vështira por gjithsesi, mendimi im është që kombi shqiptar do të ketë një të ardhme shumë më të mirë.

Intervista është transmetuar në emisionin:
“Artisti në studion time”, Radio Peja si dhe është botuar në gazetën “Pavarësia”.

Qershor, Tiranë 2004

©AJETË Shaban BEQIRAj

 

 

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You cannot copy content of this page